Ardian Azemi, sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Gjilan ka shpërfaqur brengën e tij se rruga nga shkolla fillore ‘Abaz Ajeti’ e deri në hyrje të Velekincës, përveç që është shkatërruar, ajo paraqet edhe rrezik të madh për jetën e nxënësve të shkollës.
“Edhe ato trotuare të ngushta e të dërrmuara që janë, mbushen me vetura ndërsa nxënësit duhet të ecin në rrugë ku kalojnë vetura të shumta. Kjo paraqet rrezik për ta dhe për secilin që frekuenton këtë rrugë”, ka thënë Azemi.
Ai bëri të ditur se ka reaguar edhe në qeverisjen e kaluar, ka reaguar edhe në qeverisjen aktuale dhe po reagon prapë sepse kjo rrugë duhet të asfaltohet, të rregullohen trotuaret dhe t’iu pamundësohet parkimi veturave në trotuare.
“Ne mund të heshtim dhe ta shohim pushtetin në Gjilan duke dështuar përditshëm, por kjo nuk është në kulturën tonë politike, sepse mbi të gjitha është interesi qytetar, jeta e fëmijëve tanë, infrastruktura jonë”, ka thënë Azemi i AAK-së.
Ai reagimin e tij e ka shoqëruar edhe me një foto argumentuese për shqetësimin e ngritur /2LONLINE/