Ardian Azemi, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Gjilan, në një reagim të tij ka thënë se “Nuk bëhet shëndetësia e mirë në Gjilan duke shpërndarë statuse të kryeministrit të Kosovës e ministrave të tij servilë. Shëndetësia në Gjilan bëhet duke punuar ndershëm e duke qenë në shërbim të qytetarëve 24/7”.
Ja reagimi i plotë:
LEXO EDHE: Jep dorëheqje shefi i Urgjencës në Gjilan
Deklarata e djeshme e Shefit të Urgjencës së QKMF-së në Gjilan, Dr. Leotrim Kurteshi, e shpërfaqë për të satën herë paaftësinë, arrogancën, mungesën e transparencës dhe papërgjegjësinë e mendësisë politike e cila sot qeverisë Gjilanin. Përtej partive e politikës, kjo deklaratë është krisma e bom*ës për të cilën kemi ngritur shqetësimin tonë prej kohësh e pandërprerë.
Pa dashur me hy në detaje, thirrja e doktorit në fjalë për një hetim nga prokuroria e shtetit, na bënë të besojmë se telashet në shëndetësinë gjilanase janë shumë të mëdha si pasojë e paaftësisë së pushtetit. Nuk bëhet shëndetësia e mirë në Gjilan duke shpërndarë statuse të kryeministrit të Kosovës e ministrave të tij servilë. Shëndetësia në Gjilan bëhet duke punuar ndershëm e duke qenë në shërbim të qytetarëve 24/7.
Ky nuk është skandal i vogël e i pari, është i madh e i sati në këtë mandat, andaj kërkojmë qoftë si subjekte politike, qoftë si qytetarë, që sa më parë të nisin hetimet në mënyrë që të sillen para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për rastin për të cilin flet tanimë ish-Shefi i Urgjencës në Gjilan.
Në Gjilan e kudo tjetër, reagimet publike kundër këtyre rasteve duhet të bëhen nga të gjithë pavarësisht kundër kujt e nga cila pozitë. Patriotë të vërtetë janë ata që e mbrojnë interesin e qytetarëve pavarësisht fatit të tij në karrierë. Gjilani e Kosova meritojnë trajtimin e duhur dhe qeverisje ndryshe, jo kësisoj! /2LONLINE/