Ardian Azemi, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Gjilan, njëri prej zërave kritik që ka Gjilani, ka lavdëruar të martën punën e mantelbardhëve të Spitalit të Gjilanit.
Duke u nisur nga përvoja individuale, pasi për shkaqe shëndetësore iu është dashtë të shtrihet në Spital, Azemi ka lavdëruar punën e mjekëve: “Pritje e mirë, sjellje përfekte nga mjekët dhe nga motrat, profesionalizëm sa më s’ka, kujdes maksimal e ngrohtësi. Për kushte ju i dini si janë, edhe në ato kushte ata japin maksimumin”, transmeton Portali 2LONLINE.
Duke thënë për mjekët se ata punën e kryejnë me nder e përkushtim sikur pagat e tyre të ishin 10 mijë euro, Azemi i AAK-së ka kërkuar që investimi në shëndetësi duhet të jetë prioritet, sikurse edhe rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve për mjekët. /2LONLINE/
Ja deklarata e tij e plotë:
Jam i shtrirë në Spitalin Regjional në Gjilan nga dita e premte deri sot, pas një shqetësimi që kisha, në repartin e Njësisë Koronare.
Nesër do të dal, nuk ishte asgjë serioze, jam mirë, me vullnetin e Zotit dhe profesionistëve mjekësorë si Dr. Besim Guda , Dr. Agron Leka, Dr. Osman Ramadani e komplet stafi në këtë repart.
Zakonisht shkruajmë e reagojmë kur kemi diçka me folë keq për mjekë e për stafin, ndërsa na hypë një përtesë me folë diçka mirë.
Dikush mundet me thanë se “paguhen për atë punë”. E di, por është krenari edhe për neve kur flasim pozitivisht për ta.
Pritje e mirë, sjellje përfekte nga mjekët dhe nga motrat, profesionalizëm sa më s’ka, kujdes maksimal e ngrohtësi. Për kushte ju i dini si janë, edhe në ato kushte ata japin maksimumin.
Unë jam shumë i kënaqur, ndërsa krejt të tjerët kishin tretman më të mirë se unë sepse ishte më e nevojshme.
Punën e kryejnë me nder e përkushtim sikur pagat e tyre të ishin 10 mijë euro. Mjerim sa ata marrin e me çka përballen!
Askujt nuk i intereson nëse ti je pasanik a skamnor, politikan a qytetarë i thjeshtë, trajtimi njëlloj për të gjithë.
Familjet gjithmonë i shohin mjekët sikur është në dorën e tyre jeta e të afërmit të sëmurë. Jo, jeta është në dorën e Zotit, ndërsa mjeku e kryen punën aq sa ka mundësi njeriu. Gjithmonë e mirëkuptojnë familjarin, anipse gjatë orës përballen me dhjetëra raste të sikletshme.
Investimi në shëndetësi duhet të jetë prioritet, sikurse edhe rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve për mjekët.
Jeni të mrekullueshëm!
Ju lumtë!