Gjilani ishte qyteti i radhës ku Avokati i Popullit takoi përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, aktivistët për të drejtat e njeriut dhe përfaqësues nga institucionet lokale, si pjesë e fushatës “Barazi për të gjithë”.
Në këtë tryezë u diskutua gjendja e të drejtave të njeriut në regjionin e Gjilanit dhe u hapën çështje të ndryshme nga përfaqësuesit më të cilat ballafaqohen në vendin e tyre të punës.
Mungesa e qasjes fizike për personat me aftësi të kufizuar vazhdon të jetë një sfidë për këtë komunitet si në shkolla por edhe nëpër institucione publike. Po ashtu, punësimi i këtyre personave është një sfidë tjetër, duke theksuar punësimin më të madh të tyre nëpër institucione qendrore.
Numri i vogël i punëtorëve social në komunën e Gjilanit paraqet po ashtu një sfidë të madhe për funksionim adekuat në ofrimin e shërbimeve sociale.
Po ashtu, nga pjesëmarrësit u kërkua që të krijohen aktet nënligjore që obligohen nga Ligji për Mbrojtje të Fëmijëve, të cilat akte do të sjellin shërbime tjera mbrojtëse për fëmijët.
Vëmendje u kërkua po ashtu për pozitën e grave që punojnë në sektorin privat dhe që pozita e tyre është e vështirë, si mungesa e kontratave dhe kushtet tjera të punës.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj falënderoi pjesëmarrësit për temat që kanë shtjelluar dhe ofroi përgjigje për çështjet e ngritura. “Është me rëndësi të madhe që shkeljet e të drejtave të njeriut të raportohen. Nuk kemi mandat ekzekutues por presioni ynë mund të ndryshojë situatën,” tha z. Qelaj. Ai foli po ashtu për zvarritjen e lëndëve nëpër gjykatat vendore dhe e theksoi si një të shkelur sistematike të të drejtave të njeriut.
Kjo tryezë u mundësua nga projekti i BE-së “Mbështetja e BE-së për Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë”. /2LONLINE/