(Naim Fetaj, ‘’Vezullimë thinjash’’, poezi, ShB ‘’Beqir Musliu, Prishtinë, 2015 )
Shkruan: Maxhun OSMANAJ
Në vend të biografisë
Poeti Naim Fetaj(1961), i shfaqur në sofrën e pasur letrare tash e katër dekada, nuk ka vrapuar pas vëllimeve të shumta poetike,por me tre librat poetikë; ’’Yjet bëjnë rojë” (1987) i nderuar me çmimin’’Hivzi Sulejmani’’, si libri më i mirë i autorëve të rinj, ‘’Terrinë përtej diellit’’ (2013) i nderuar me vendin e parë në konkursin tradicional letrar ‘’Azem Shkreli për mërgatë’’ në Gjermani, dhe vëllimi i fundit poetik’’Vezullimë thinjash’’ (2015) ,ka krijuar një themel të fuqishëm,të padiskutuar vlerash estetiko-letrare.
Përballë një plejade të poetëv të viteve ‘8o-të, Fetaj sjell një origjinalitet paksa specifik,then tabu dhe klishe të mëparshme, sjell një zë sa original aq autentik, sa i kursyer, aq i thjeshtë i mbarsur me një filozofi që mjeshtrisht lidh kohën-historinë me dramën kolektive të popullit shqiptar.Zëri i poetit është dhembje,është mall, është këshillë,është herë-herë kushtrim,por në tabanin e arealit krijues, mjeshtria proverbial e percjell cdo poezi.Shkurt, poezia e tij është burrërore, elegjiake-epike, po edhe lirike.
Takim me poetin – poezinë
E njoha para më shumë se tri dekada e gjysmë, qoftë fizikisht si student letërsie, por më shumë si krijues. Më shpesh u takova me vargun e tij, sesa fizikisht, ngase në’’ trokitjet’’ e para poetike hynte në portën e madhe të poezisë guximshëm që tërhoqi vëmendjen, qoftë të lexuesve, qoftë të kritikës letrare.
Ai u lajmërua si një penë e re, por që shpërfaqte një pjekuri në varg,në ide, në porosi, në shprehje dhe mendim paksa më të avansuar nga disa që shkruanim. Një zë burrëror, por edhe guximshëm dilte para penave tashmë të njohura; Teki Dervishi, Beqir Musliu, Sabri Hamiti, Shaip Beqiri, Adem Gashi, Milazim Krasniqi, Agim Vinca e ndonjë tjetër, pa i permendur elitën e poetëve kosovarë të viteve ‘6o-70, ku tashmë ky bënte pjesë në plejadën e sukseshme të viteve’80-9o të me disa nga emrat e njohur; B. Caprici, B. Avdyli, T. Desku, F. Tasholli, R. Sylaj, S.Bashota, S. Havolli, N. Kelmendi, S. Fetiqi, I. Aliu, M. Avdyli, I. Syla, B. Dabishevci e shumë të tjerë që njihen si brezi i Republikës,sollën një zë më një kreativitet dhe vendosen nga një gur në kalanë e madhe poetike.
Aktet dramatike të kësaj dekade dhe fati tragjik me thyerje të mëdha të fatit të popullit shqiptar u përvijuan tek secili poet në forma dhe mënyra të ndryshme. Duke u ndodhur përballë kësaj gjendjeje,ku poeti s’kishte tjetër armë urtësie, pos vargut, në vitin 1991 kur qielli dhe toka e Kosovës u mbulua terrinë sic e permend autori shpesh këtë fjalë, poeti li larguar me dhunë nga pushteti pushtues-serb, lë Kosovën dhe kërkon mbijetesë rrugëvet e botës, në Gjermani ku tash vepron dhe punon.
Duke lexuar dhe përcjellë krijimtarinë poetike të këtij poeti origjinal, të talentuar, rrjedh pyetja si për kureshtje; më shumë kurbeti i vodhi muzën autorit, apo më shumë kurbeti i dhuroi dicka në jetë. Na duket se më shumë i ‘’vodhi’’, ngase ai nuk reshti se shkruari,por duket se kurseu veten dhe nuk vrapoi pas titujve sic disa. A ishte dëshirë apo koha i doli në mes… ku ta di?! Por një gjë gati secili kritik letrar ka vërejtur se këto tri vëllime poetike për katër dekada vlejnë shumë më shumë se disa me dhjetra libra…!
Tri vecoritë e artit poetik
(Thjeshtësia, proverbialja dhe etno – psikologjia)
Vëllimi poetik ‘’Vezullimë thinjash është i strukturuar në tetë cilke ku përfshihen 81 poezi. Poezia e Fetajt komunikon me kohën ku dominojnë indet poetiko-tematike me elementet filozofike, sociale, shoqërore, etno-psikologjike ku indi nevralgjik i dhembjes dhe mallit përvijohet mjeshtrisht gati në cdo poezi. Komunimimi i heroit lirik, është komunikim herë sir rëfim, herë si këshillë, herë si gjykim, por të gjitha këto i mbulon kupola poetike e filozofisë se shprehjes poetike.
Në vargjet e Fetajt takohet e shkuara dhe e sotmja, koha në mes e gërshetuar me dhembje dhe mall. Heroi lirik herë i takon sociales, herë epizmit, herëtragjikës, ku përmes rrëfimit poetik shpalos dramën qoftë autobiografike për të dalë në atë kolektive. Në këtë dramë jetësore merr pjesë edhe autori, ku shprehet: ‘’Këngët e djalërinë,/i lashë në Prishtinë /…dhe dashurinë, / Rininë / tanket ma grinë…,/ Tash rrugëve të botës / E ndi pleqërinë / Fillikat i vetëm / E gjëma e fisit tim / Edhe lutjet m’I nxin..’’/(Skicë për autoportret)
Kjo poezi mund të jetë skicë,tregim apo mund bëhet roman. Autori shpalos tri faza të jetës;rininë-dashurinë, pjekurinë, pleqërinë rrugëve të botës. Pra një autobiografi e biografisë se dhembshur, një filozofi mjeshtrore me thjeshtësi dhe efektivitet stilistik. Poezia e Fetajt ka urtësi, burrëri, por edhe dashuri. Elementi etno-psikologjik i veshur dhe ndërtuar mbi tabanin popullor e mbulon gati cdo poezi, ndër më të theksuarat janë; Skicë për një poemë, Vajtimi i ri etj. Komunikimi i autorit me kohën, me vendlindjen,me figurat e kombit, me te shkuarën, me vendlindje, ku dhembja dhe malli elegjiak me njerëzit e vendlindjes ështeë aq i zjarrtë, sa sikur një magnet tërheq tharmin e etjes për ata që autori ka etje dhe respect.Ky mall elegjiak, qoftë haptas apo tinëzisht e mbulon indin nevralgjik të cdo vargu të themi.
Thjeshtësia në ndërtim, thjeshtësia në shprehje janë vecori të artit poetic të këtij vëllimi. Një vecori tjetër e vargut të Fetajt qëndron në proverbialen, në cdo poezi hetojmë shprehje që i afrohet fjalës e urtë. Pra cdo varg ka maturi fjalësh, ka kursim fjalësh dhe është ‘’kalli i pasur me grurë poetik’’.
Në ciklin Shumë ëndrra pak këngë, autori shpërfaq dramën personale dhe kolektive të një kohe në vendlindjen e vet në Strellc, ku thotë; ’’Bora deri në shokë…e burrat lidhur për arra/ Lidhur e krejt të ngrirë / As të gjallë as të vdekur’’/ (Arrat e zeza në Strellc). Këtë dramë e ruan në këngë rapsodi,Rrahman Imeri,:Tema e mërgimit është ajo që kaplon shumë vargje,shumë poezi. Duket se autori këtë plagë e mban me veti kudo si një trastë -kujtimi, si një plagë në trup që s’ka shërim asnjëherë. Rrëfimi për kurbetin ,nganjëherë kalon në këshillë; psh. ’’Veç emigrant lum baca / Mos u bëfsh kurrrë / Si unë …mos pafsha / Rri aty../ Rri lum baca / Më mirë një vit…ndër ato mrize / Se rrugëve të botës..gjithë jetën si qyqe’’ / (Letër nipit tim Norit). Rrugëve të botës është togfjalëshi që autori e përdor shpesh në vargje;këtë gjë e bën për efekt psikologjik. Edhe motivi social apo nota sociale kalëron në shumë poezi dhe sikur ka shenja të një kohe sikur të Migjenit na kujton ndonjë poezi. p.sh ;’’ A do argat zotni’’, ku në mes tjerash shkruan; ’’Me njëmijë lutje zgjohem / E për n jë ëndërr bie / Me dy –tri zhele / Arnoj cdo dashuri / Do bukë e ha disi / As helm nuk kam me pi / Lëre ti shekullin njëzetenjë’’.
Pra me një thjeshtësi paraqet një filozofi dhe fuqi poetike. Poeti nuk guxon ta harrojë historinë, t’i harrojë personalitetet qoftë familjare; babai, vëllai, halla apo personalitetet historike që lanë një gjurmë krenarie si; Ibrahim Rugovës, Jusuf Gërvallës, Zahir Pajazitit, Isë Boletinit, Sali Cekajt dhe poetit të njohur,Azem Shkrelit.
Me vargje të shkurtra hetojmë një poezi metaforiko-ironike në shumë poezi, psh; ’’Në besë po të flas e nuk dua me të rrejt / As lule s’të solla se i pshurrin qentë’’ (Bisedë sy me sy) (Zahir Pajazitit). Satira dhe ironia groteska shigjeton aktualitetin grotesk në disa poezi; ’’Në ankand kemi dale/Vec marrëzi shesim/Shesim e… vetë e blejmë’’. Një tjetër poezi ku autori na shpërfaq një gjendje cfarë jemi, një gjendje pakënaqësie ku thotë; ’’Na mundën na mundën kryetulet / Pshurranat dhe xhuxhët / Stina e tyre paska ardhur’ ’(në cilen stinë qenkemi).
Autori aludon tek ata njerëz që zhvatin këtë shtet,që hanë dhe rjepin cfarë munden. Këu qëndron nota e ironisë. Andaj, nuk ka akte dhe skena dramatike te këtyre dy dekadave ku nuk e tërhjek poetin duke I shpalosur qoftë haptasi qoftë në mënyrë të tërthortë apo të nënkuptuar.
Sikur vargjet e Fetajt janë nganjëherë histori e vargëzuar, por gjithnjë në lidhjen sentenciale me shprehjet popullore qe janë një pasuri gojore, një nektar nëpër kohëra dhe breza duke I ruajtur në mënyrë fanatike, pra poeti shkel në tabanin e fortë popullor, si alfabet I parë I trashëgimisë se popullit. Gjuha e pasur figurative, figurat letrare; metafora,krahasimi, epiteti, satira, antiteza i japin një stil dhe fuqi shijes estetiko-letrare poezisë.
Me kënaqësi autori përdor shprehje popullore, ndonëse herë-herë i ik normës letrar, duke përdorur një gegërishte të ëmbël, por ato shprehje nuk ia ulin fuqinë shprehëse poezisë, veç ia shtojnë bukurinë e shprehjes poetike.
Kritika për poetin
Poezinë e Fetajt e ka përcjellë kritika letrare, por ka ende mundësi të shkruhet më shumë, ngase vargjet e autorit provokojnë për një interpretim më të thellëfilozofik. Më poshtë po sjellim disa recensione të shkurtra nga disa krijues-kritikë;
‘’Poezia e Naim Fetajt lidh nyjat e kujtesës autoriale,më parë se me figura e diskurs, në biografi e ‘’histori’’ njerëzish që përfaqësojnë,ashtu sic gjerat i përfaqësojnë njerëzit kur ata s’janë më. Një poezi personale, madje autobiografike, ashtu siç duan të jenë përherë diskurset lirikë’’ (Kujtim Shala).
*’’Naim Fetaj kur e kur me tone elegjiake e kur e kur me tone triumfaliste këngëton për një serë temash e motivesh jetësore’’ (Ragip Sylaj).
*’’Poezia e këtij poeti,që ka si bazë të gjykuarit e urtë, shndërrohet vetëvetiu në poezi sentenciale ku gërshetohet filozofia tradicionale e etnikumit me filozofinë moderne të jetës dinamike’’ (Faruk Tasholli).
*’’Vezullimë thinjash’’ vjen si flladitje e tokës për të shtuar begatinë e bukuritë e atdheut. Nëpër këto përvijime artistike, vargu I poezisë sa vjen e merr kuptimin sa racional, po aq edhe shënon e saktëson dokumentaritetin e ngjarjeve me të cilat ka jetuar e bashkëjeton Naimi; në shkrirjen e mallit për dashurinë që ndjen në të gjitha ecjet e tija’’ (Nexhat Rexha).
*’’Ky poet sikur me dy krande e ndez zjarrin poetik. E në këtë zjarr dalldisen figurat poetike e shpërthyeshëm del mendimi rrezatues që të befason. S’ke se si të mos thuash se poezia e mirë thuret edhe me pak fjalë,sidomos kur janë fjalë shpirti,shpirt që digjet për një fjalë e për mungesë të asaj fjale kur e do koha e ku e ka vendin’’ (Adem Istrefi, redaktor i librit ’’Vezullimë thinjash’’)