Reagim ndaj shkrimit të Fatmir Arifi, ” Manipulimi i radhës për shqiptarët e Malësisë së Bujanocit”të botuar në 2lonline.com më, 20.01.2017 (shih shkrimin)
/Gani Krasniqi – përkrahës i Fondit Humanitar për ndërtimin e shtëpive në Malësinë e Bujanocit, pjesëmarrës në takimin në fjalë të mbajtur në Gjilan/
/2L ONLINE/ – Në fillim, të gjithë ata banorë të Malësisë së Bujanocit prezentë në atë takim informues ishin të interesuar të dinë se për çka bëhet fjalë, pasi ishte krijuar një opinion se po ndërtohen shtëpi në një anë, e në anën tjetër është gënjeshtër se nuk ndërtohen shtëpi, etj. Të gjithë ata që ishin prezentë, asnjë, bash asnjë, nuk iu gëzua kësaj informate, por ishin skeptikë për këtë dhe ua thanë në sy atyre se, këto janë gënjeshtra, se këto janë vetëm manipulime, se Serbia po na i pasivizon vendbanimet, se na ka përzënë nga vendlindja etj. etj. Por, dëshira e madhe që të kthehen në vendlindje e ta popullojnë edhe njëherë Malësinë e Bujanocit është më e fortë se çdo gjë tjetër, por mundësitë e banorëve, që kanë dëshirë të kthehen, janë të vogla, sepse nuk kanë mjete financiare që të investojnë në ndërtimin e shtëpive në bujqësi në shkolla etj.
Malësia e Bujanocit , kurrë nuk është mashtruar nga pushtuesi, por gjithmonë e ka luftuar dhe nuk iu ka dorëzuar asnjëherë. Të kujtojmë disa figura atdhetare të periudhës së fundit historike: Lam Breznicën, Sylë Zarbicën, Ilaz Doktorin, Njazi Kadriun e plotë e plotë atdhetarë e patriotë tjerë. Këta e kanë shtruar rrugën atdhetare për të gjithë malësorët.
Fatmir Arifi paska thënë se, janë të manipuluar. Si janë të manipuluar e përçarës? Përçarëses i shqiptarëve të Kosovës Lindore,është ai vet, sepse të kujtojmë që pasi erdhi në Vatër, për një kohë të shkurtër e bëri pikë e pesë, e ndau e përçau dhe e bëri pastaj një Lëvizje tjetër, sepse dëshironte që të jetë kryetar, karrierist i çmendur. Ai mblodhi fonde, shuma të mëdha në perëndim, me e përça një shoqatë që kishte bërë bukur shumë punë për Kosovën Lindore. Drekat e darkat e mashtrimet që bënte me anëtarë të Vatrës e të tjerë, nuk i ndali deri sa e ndau përçau atë.
Atij, qe po i dhimbsen aq shumë, këta banorë shqiptarë të Malësisë, pse nuk mundi qe 18 vjet të gjejë ndonjë mundësi e tua bëjë të mundur të kthehen në shtëpitë e tyre e në vendlindjet e tyre. Të gjente ndonjë donator, të gjente ndonjë investitor o të brendshëm o të jashtëm.
Nuk e di, apo s‘do me e ditë, në këto momente ai, se Bashkimi Evropian me ndihmën e shoqatave të ndryshme ka ndërtuar 594 shtëpi për serbët që janë kthyer në Kosovë nën hundën e Fatmir Arifit e me dijeni të Qeverisë së Kosovës.
Sa banesa i ka ndërtua Serbia në Mitrovicë të veriut për serbët e vet. Po bëhet kolonizimi i Kosovës. A s’është antikombëtare kjo? A e dinë Fatmir Arifi se, kompani nga Beogradi punojnë në Kosovë dhe atë, në sektorin mjaftë të ndjeshëm- në trashëgimi.
Të kujtojmë vetëm një kompani e cila me ekspertë nga Beogradi është duke restauruar kalanë e Artanës, që aty mund të falsifikojnë gjetjet e ndryshme. Ku është ky njeri që nuk reagon, që nuk i ndalon, por fshihet si struci. Pasi qenka aq atdhetar është dashur t’i ndaloje, të bëjë diçka, të bëjë një veprim atdhetar. Po atje në Mitrovicë nuk ia mban. Vetëm shqiptarët, vetëm vëllezërit e vet ka prirje t’i përçajë ,t‘i shajë e t’i nënçmojë.
Sa mirë po e njohka Fatmir Arifi atë farë grua të BIA-së. Pasi po e njohka kaq mirë e paska shoqe. Se ne as nuk e kemi njohë as nuk e kemi ditë se kush është, ajo ka ardhur me një shqiptar që ka një parti në Serbi ashtu siç është edhe partia PDSH e Ragmi Mustafës e partitë tjera. Edhe partitë e shoqatat me udhëheqës shqiptarë janë të regjistruara në Serbi dhe rreth vetes kanë numër të caktuar të shqiptarëve dhe sipas kësaj logjike të gjithë ato parti e shoqata shqiptare qenkan të manipuluara dhe po bëkan përçarje e qenkan pro interesave te BIA-së.
Po rruga që po ndërtohet për Zarbicë nga komuna e Bujanocit po i përçan shqiptarët?!, po Këshilli Nacional që vepron në Bujanoc e fondet që i merr nga Serbia, po bëka përçarje sipas logjikës së Fatmir Arifit.
Fatmir Arifi i cili jeton në Prishtinë, e ka lëshuar vendlindjen e vet e ia ka lënë BIA-së serbe të lirë të veprojë si të dojë, ndërsa tani pse po dëshirojnë disa banorë të kthehen në vendlindjet e tyre, në vendin e të parëve të vet, i paska quajt të mashtruar, të manipuluar.
Ai po qan me lot krokodili, se po i vjen keq për ta pse po investon Bashkimi Evropian. Pra, këto investime, sipas atyre që kanë informuar, i bën Bashkimi Evropian. Sa shumë po iu dhimbsen paratë e Bashkimit Evropian.
Po si duket, ky i etshëm për para i vjen keq që nuk ka mund ta kap këtë projekt kaq madhor, apo po mendon me këtë t’i marrë votat e banorëve të Malësisë së Bujanocit në zgjedhjet e ardhshme për ndonjë këshilltar komunal apo deputet .
Por kot e ka se nuk mund t’i marrë votat e malësorëve sepse e njohin shume mirë këtë njeri. /2L ONLINE/
Gani Krasniqi