Nga evidenca jonë zyrtare nuk është iniciuar procedurë penale as ndonjë aktpadi për funksionarët e komunës së Bujanocit, kjo është përgjigja e Agjencisë për luftë kundër korrupsionit të Serbisë dërguar portalit informativ Titulli.com lidhur me këtë temë.
“Nga kontrollimi i të dhënave nga evidenca zyrtare në sektorin për zgjidhje të konfliktit të interesit, është konstatuar se në periudhën prej vitit 2010 deri më 31.12.2015, nuk janë iniciuar kërkesa për procedurë penale, as aktpadi, kundër funksionarëve që funksionin e tyre e kryejnë në organet e komunës së Bujanocit, gjegjësisht në organet e ndërmarrjeve publike, shoqërive ekonomike apo enteve dhe organizatave tjera, ku themelues është kjo komunë”, thuhet në përgjigjen e kësaj agjencie dërguar në e-mailin e portalit Titulli.com.
Megjithatë, kjo agjenci i ka shqiptuar kryetarit të komunës masë paralajmërimi për mos deklarim me kohë të pasurisë dhe të ardhurave.
“Agjencia në vitin 2013 i ka shqiptuar masë paralajmërimi kryetarit të komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, për shkak të cenimit të nenit 42, paragrafi 2, shkaku i mos paraqitjes me kohë të raportit mbi pasurinë dhe të ardhurave gjatë marrjes së funksionit, gjegjësisht ndërprerjes së funksionit”, thuhet në njoftimin e agjencisë.
Kontrollimi i raporteve të pasurisë dhe të ardhurave të funksionarëve lokal bëhet në bazë të nenin 45 të Ligjit mbi Agjencinë për luftë kundër korrupsionit në Serbi.
“Për deklarim të pasurisë dhe të ardhurave, sipas këtij ligji, nuk obligohen funksionarët që janë këshilltarë, respektivisht anëtarët ë këshillave drejtuese apo mbikëqyrëse të ndërmarrjeve publike, enteve apo organizatave tjera ku themelues është komuna apo qyteti”, njoftojnë në Agjencinë për luftë kundër korrupsionit.