Baronesha Catherine Ashton e cila largohet nga pozita e Përfaqësueses së Lartë të BE’së nga 1 Nëntori i ka shkruar Presidentes Atifete Jahjaga. Ashton e cila ka ndërmjetësuar në bisedimet Kosovë –Serbi ka thënë se me Jahjagën ka pasur marrëdhënie të mira pune.
Më poshtë mund të lexoni letrën e Ashton të cilën e ka publikuar Jahjaga në Facebook.
Presidentja Jahjaga ka pranuar sot një letër nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, zonja Catherine Ashton. Në letër thuhet:
E nderuara Presidente,
Tani kur po i afrohem fundit të mandatit tim si Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian, desha t’ua bëj me dije se sa shumë i kam vlerësuar marrëdhëniet e afërta të punës gjatë këtyre viteve. Ishte privilegj t’ju njoh dhe të punoj me ju.
Jam shumë e kënaqur që kemi arritur të bëjmë përparim shumë të mirë në dy fusha në veçanti. Fillimisht, dua të veçoj avancimin e rëndësishëm të rrugës evropiane të Kosovës dhe përshëndes përpjekjet tuaja në këtë aspekt, dhe së dyti punën e bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Jam e bindur që procesi i integrimit të Kosovës në BE, dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, do të jenë shtytje për reformat e brendshme në Kosovë.
Mund të llogarisni që BE-ja do të mbetet partner i qëndrueshëm i Kosovës, i përkushtuar të arrijë përparim të mëtejmë në këto ndërmarrje.
Ju dëshiroj çdo sukses në të ardhmen.
Sinqerisht,
Catherine Ashton