(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri i shoqëruar nga drejtorët komunal, ka vazhduar me inspektimin e punëve që Komuna po bënë në infrastrukturë.
Pasi ka parë nga afër punimet në disa lagje të qytetit dhe në disa fshatra, kryetari Haziri ka parë sot përfundimin e punimeve në rrugën Pogragjë-Bilinicë.
Kryetari Haziri është ndarë i kënaqur me punën që është bërë në këtë rrugë, duke thënë se tashmë banorët e kësaj ane nuk do të mendojnë më për shpërngulje në qytet, pasi u është mundësuar të jetojnë në kushte normale.
“Kur kam ardhur këtu dhe e kam parë këtë rrugë gjatë fushatës elektorale jam tmerruar dhe ju pata premtuar se ndër punët e para që do të bëjë si kryetar i Gjilanit do ta asfaltoj këtë rrugë si është më së miri. Dhe ja sot, e keni rrugën e asfaltuar me standarde të larta. E di që pas kësaj, më nuk do të mendoni për shpërngulje. Ne vazhdimisht do të kujdesemi që t’ua bëjmë jetesën më të lehtë”, ka thënë kryetari Haziri.
Nga ana e tyre, banorët e kësaj ane kanë falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit për investimin më të madh që e mbajnë mend ata për atë pjesë, duke thënë se tash do ta kenë shumë të lehtë qarkullimin.
Komuna e Gjilanit ka investuar në këtë rrugë në vlerë prej 158 mijë eurosh, e cila është me gjatësi prej 3.5 kilometra dhe gjerësi katër metra.
Në ndërkohë, i pari i Komunës së Gjilanit me bashkëpunëtorë ka parë nga afër edhe përfundimin e rrugës Pogragjë-Llovcë, e cila është asfaltuar sipas standardeve europiane. /2L ONLINE/