Gjilan – (2LONLINE) – Faton Bislim ish kandidati për kryetar komune i Koalicionit për Gjilanin tha se me vëmendje ka përcjellë paraqitjen publike të Lutfi Haziri, kandidat i LDK-së për kryetar të Gjilanit dhe atë Qemajl Mustafa, kandidat i PDK-së për kryetar të Gjilanit, dhe se në në të dyja këto paraqitje të kandidatëve në fjalë, që sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 3 nëntorit, do të ballafaqohen në balotazhin e 1 dhjetorit, i është përmendur emri në kontekst të përkrahjes për njërin dhe tjetrin.
”Unë dua ta sqaroj publikun se unë kam qenë kandidat jopartiak për kryetar të komunës nga radhët e Koalicionit për Gjilanin, një nismë qytetare kjo e përkrahur nga disa subjekte politike dhe forume jopolitike. Andaj, në respekt të votuesve të mi, unë mbetem i përkushtuar që të punoj për të mirën e Gjilanit dhe vendit tim, dhe të jem i painvolvuar në procesin e balotazhit. Unë i dëshiroj fitore Gjilanit”, ka sqaruar Bislimi.
Ai tha se subjektet që kanë mbështetur kandidaturën e tij e kanë të drejtën e tyre legjitime që të përcaktohen për përkrahje ndaj njërit ose kandidatit tjetër dhe ai nuk do të jetë i involvuar assesi as në përcaktimin e tyre eventual.
“I falënderoj të gjithë për përkrahjen që ma kanë dhënë dhe iu dëshiroj suksese të mëtutjeshme. Personalisht, mbetem i përkushtuar për të qenë në shërbim të së mirës qytetare dhe zhvillimit të vendin tonë dhe komunës sonë në të gjitha kapacitetet e mia profesionale e akademike“, ka thënë Faton Bislimi, në një sqarim të tij kur janë në pyetje deklaratat e atyre politikanëve që do të garojnë në balotazh e ku lakojnë edhe emrin e Bislimit. /2lonline/