Shoqata e artistëve nga Frankfurti shkollës sonë i ka dhuruar një donacion librash nga fusha e arteve vizuele. Ky kontingjent librash do të shërbejnë për ilustrimin e njësive mësimore dhe konkretizimin e mësimit në lëndët profesionale.
Donacioni, në fjalë, është fryt i një vizite të mëhershme në shkollën tonë të artistit gjerman, Paul Hirsch (skulptorit)nga Frankfurti, i cili me t’u kthyer në Gjermani, ka mobilizuar shoqatën e artistëve nga Frankfurti, respektivisht anëtarët e saj që vullnetarisht të ofrojnë libra me përmbajtje edukative artistike për shkollën e arteve pamore në Gjilan dhe si rezultat i thirrjes së tij, janë grumbulluar mbi 40 libra të rëndësishëm.
Drejtori i shkollës, Roland Masurica, ka falënderuar Paul Hirsch-in, për kontributin e dhënë ne aspektin material konkretizues dedikuar edukimit të brezave të artistëve të rinj në shkollën tonë.
“I jemi mirënjohës vullnetit të mirë dhe individual të të gjithë artistëve gjermanë që kontribuuan në pasurimin e bibliotekës së shkollës me mbi 40 tituj librash. Gjithashtu, falënderim të veçantë i dedikoj edhe artistit gjilanas me rezidencë në Frankfurt, Sali Musliut dhe mësimdhënësit të shkollës sonë, Reshat Alidema që kanë ndihmuar këtë iniciativë të z.Hirsch”, ka pohuar ai.
Tutje, ai ka shtuar se shkolla e artit pamor “Adem Kastrati”, krahas mirënjohjes dhe falënderimit për këtë donacion, edhe në të ardhmen do t’i vazhdojë kontaktet me artistët e lartpërmendur në funksion të thellimit të bashkëpunimit dhe me aktivitete të tjera. /2LONLINE/