Përmes një shkrese për kryetaren e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, znj.Besa Baftiu si dhe kryesinë e Qendrës, në Gjilan, Arsim Miftari ka bërë me dije se jep dorëheqje nga të gjitha funksionet drejtuese të Lëvizjes Vetëvendosje, Pika në Cernicë. “Kartela e anëtarësisë së bashku me këtë letër dorëheqje do t’i dorëzohet Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan”, ka bërë me dije Miftari.
Përndryshe ai ka thënë se akti i dorëheqjes vjen si shkak i pakënaqësisë ndër vite me emërime e jo zgjedhje, mos riorganizimi dhe rekrutim i figurave të reja për të aktivizuar dhe fuqizuar Qendrën, ngritja e shqetësimit nga disa anëtarë të kryesisë së pikës në Cernicë për neglizhencë nga Qendra Gjilan vetëm pse kanë mendim ndryshe, mos reflektimi për unitet mbi gjendjen e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, shumë kohë më herët.
“Po ashtu mosdhënia e përgjegjësisë për humbje të zgjedhjeve lokale dhe pamundësinë për ndryshim, dita-ditës e kanë zbehur aktivitetin tim politik, gjë e cila më sjell para këtij akti, duke i ndarë rrugët me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Miftari.
Ai shtoi se, si themelues dhe kryetar i Pikës së Lëvizjes Vetëvendosje në Cernicë deri më sot (06.03.2018), dhe si ish anëtar i kryesisë në Lëvizjen Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, iu është mirënjohës të gjithë aktivistëve, anëtarëve, qytetarëve të fshatrave: Cernicë,Vrapqiq, Kravaricë dhe Gumnishtë, për mundësinë dhe krijimin e kushteve për mbajtjen e organizimeve dhe takimeve, pasi ishin derë hapur.