Sot me datë 10.08.2021 Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) – Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka arrestuar të dyshuarin H.G. viti i lindjes 1958, mashkull kosovar, zyrtar i gjendjes civile në KK Pejë.
DHKEK-u, pas pranimit të informatave fillestare, ka ndërmarrë veprime hetimore dhe ka siguruar dëshmi se i dyshuari i lartcekur, e ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile një shtetas të huaj duke mos i përfillur procedurat ligjore të regjistrimit fillestar të një personi në sistemin elektronik të gjendjes civile. I dyshuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e vërtetuar, regjistruar dokumentin me të dhëna të rreme.
Personi i huaj, ishte regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile në KK Pejë në mënyrë të kundërligjshme, kinse është shtetas i Republikës së Kosovës, me këtë rast ka arritur t’i ketë në shfrytëzim dokumentet identifikuese (pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shofer).
I dyshuari H.G. është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës me aktvendim të prokurorit të shtetit dërgohet në mbajtje për 48 orë. /2LONLINE.com/