Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije për një rast të cilësuar si “Përvetësim në detyrë, me këtë rast është arrestuar një i dyshuari, pasi që kishte përvetësuar në mënyrë mashtruese një shumë prej 2.500 € nga firma ku ishte duke punuar.
Sipas Hashanit, Policia e Kosovës në Gjilan, është njoftuar nga përfaqësuesi i kompanisë “Fluidi”, ku dyshohet se me 29 prill 2018, i dyshuari, punëtor i kësaj kompanie, ka dorëzuar kopjen e fletë-deponimit në shumë prej 2500 €, të lëshuar nga ProCredit Bank, e cila shumë nuk ka kaluar në xhirollogarinë e kompanisë “Fluidi”.
“I dyshuari, shumën 2500 €, dyshohet ta kishte përvetësuar dhe ka ndërhyrë në fletë-deponim duke ndryshuar datën dhe shumën”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë. Rasti është duke u hetuar.