Autoritetet policore kanë bërë me dije se Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe kundër Korrupsionit që veprojnë në Gjilan, kanë pas informata të besueshme të marra përmes rrugëve operative , se në fshatin Lisockë , komuna Kamenicë, persona të dyshuar po bëjnë kontrabandë të masës drusore nga pjesa e territorit të Serbisë.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se nga ana e policisë së Kosovës janë arrestuar tre të dyshuar, shqiptar shtetas të Kosovës, punëtorë në Agjencinë pyjore (roje pylli) pasi dyshohej se ishin të përfshirë në kontrabandë të drunjve nga Republika e Serbisë.
Sipas tij, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe kundër Korrupsionit që veprojnë në Gjilan, pas pranimit të informatës i është përgjigjur rastit dhe në bashkëpunim me Agjencinë Pyjor Komunal-Kamenicë dhe Inspektoratin Qendror të Pyjeve, kanë dalë në vendin e ngjarjes , ku roja e pyllit pretendonte se është prerë dhe tërhequr masa drusore.
Pas verifikimit nga Agjencia përkatëse është konstatuar me procesverbal se në asnjërin rast nuk ka rezultuar përputhshmëria e mostrave të drunjve të marra (matura) në kamion, me cungjet në vendin e ngjarjes.
“Pas finalizimit të veprimeve hetimore në terren, me urdhër të prokurorit të shtetit, e gjithë masa drusore (trupa ahu, drunjtë industrial ) të ngarkuar në kamion janë konfiskuar përkohësisht dhe është deponuar në depon në Agjencinë Pyjor në Kamenicë”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Tre të dyshuarit, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve në prezencë të avokatëve mbrojtës.
Me vendim të Prokurorit, u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për veprën “Kontrabandim i mallrave” .
Rastet janë duke u hetuar.