Policia e Kosovës, pas një aktiviteti hetimor, ka arritur të arrestojë dy të dyshuar për përfshirje në grabitje të armatosur. Të dyshuarit janë arrestuar në Kamenicë, gjegjësisht në fshatin Petroc të Kamenicës.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije Policia tek të dyshuarit ka gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri e kalibrit 7.65 mm, e cila me urdhër të lëshuar nga Gjykata Themelore është dërguar për ekzaminim në Agresionin e Kosovës për Forenzikë. Pas ekzaminimeve të nevojshme, ka rezultuar se arma e konfiskuar është përdorur edhe në dy raste të tjera të grabitjeve.
“Dyshohet se arma është përdorur gjatë grabitjes së një pike karburanti, në fshatin Kmetoc komuna Gjilan, me 23 dhjetor 2017, ku pronari i pompës kishte mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shkrepjes së armës nga ana e të dyshuarit. Po ashtu, dyshohet se arma është përdorur edhe me 25 dhjetor 2017, në rastin “Grabitje në tentativë” e kryer nën kërcenim të armës në një “bastore” në Gjilan”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
më 01.03.2018, dy të dyshuarit A.L. dhe B.A. (meshkuj, shtetas, kosovar), janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës në lidhje me këto raste, ku janë dëshmuar prova të qëndrueshme se të dy këta të dyshuar në bashkëveprim, në mënyrë të organizuar, janë të përfshirë në këto raste.
Ndaj të dyshuarve është vazhduar masa e ndalimit për një muaj.
Duke folur për rastin, Hashani ka kujtuar se Policia e Kosovës, njësitet e hetimeve rajonale dhe hetues policorë të stacionit në Gjilan, në realizim të Planit Operativ “Dhjetori”, pas një pune hetimore mirë të organizuar, për hetimin e veprave penale të “Grabitjes”, me 11 janar 2018, kishte ekzekutuar urdhrin për bastisje të lëshuar nga Gjykata Themelore Gjilan, në tetë lokacione të ndryshme.
Tetë të dyshuar, që të gjithë shqiptarë, shtetas të Kosovës, me banim në Gjilan, dyshohet se janë të involvuar në së paku tri rastet të “Grabitjeve” në qytetin e Gjilanit gjatë periudhës së fund-vitit 2017 dhe fillim të këtij viti.
Në cilësinë e provave materiale, ishte gjetur edhe arma e cila besohet se është përdorur nga njëri i dyshuar, në kohën kur është kryer “grabitja” në një kazino në Gjilan. Po ashtu janë faktuar edhe prova tjera materiale që i kanë gjetur hetuesit. Të dyshimtit besohet të kenë vepruar si grup i organizuar kriminal, të njëjtit janë ndal në paraburgim me vendim të Gjykatës.