Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), gjatë muajit mars dhe korrik 2021, kishin realizuar operacione policor kundër trafikimit me narkotik. Si rezultat i operacioneve ishin konfiskuar mbi 60 kg marihuanë. Nga ajo kohë, të kërkuar nga policia nën dyshimin e përfshirjes në trafikim me narkotik ishin disa të dyshuar.
Sot, më 03.03.2022, hetuesit nga DHTN-ja, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke realizuar kontrolle në tri lokacione. Lokacionet ku janë kryer kontrolle janë dy në fshatin Dobratin dhe një në fshatin Doberdol të Podujevës.
Policia gjatë operacionit të sotëm ka arritur t’i gjejë dhe arrestojë katër të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge’. Të arrestuarit në këtë rast janë: A.M., (viti i lindjes 1989, mashkull kosovar), M.R., (viti i lindjes 1992, mashkull kosovar), A.M., (viti i lindjes 1996, mashkull kosovar) dhe M.A, (viti i lindjes 1991, mashkull kosovar).
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë. /2LONLINE/