U mbajt takimi me struktura të Lëvizjes, ku kandidati për kryetar të Qendrës, Alban Hyseni, dhe kandidatja për kryetare të gruas Arijeta Rexhepi, shpalosën platformën e tyre udhëheqëse për mandatin 4 vjeçar. Njëkohësisht u prezantuan dhe kandidatët për kryetarë të rinisë. Genc Halimi dhe Lirak Haziri.
“Vet themelimi i GVV (Gratë për VETËVENDOSJE!) është paramenduar si vazhdimësi e kësaj përpjekjeje të gjatë për të krijuar hapësirat e nevojshme që gratë dhe vajzat të jenë të përfaqësuara në të gjitha strukturat e Lëvizjes, e kauzat e tyre të bashkërendohen me veprime të qarta edhe në mandatet qeverisëse”, ka thënë Arijeta Rexhepi, e cila para aktivistëve e anëtarëve të Lëvizjes, shpalosi platformën për udhëheqjen e strukturave, Gratë për VETËVENDOSJE!
Ja postimi i saj i plotë:
Kisha kënaqësinë ta shpalos para aktivistëve e anëtarëve të Lëvizjes, platformën për udhëheqjen e strukturave Gratë për VETËVENDOSJE!
Rrugëtimi i grave në LV për barazi sociale ka një historik të gjatë dhe i jep kuptim më të thellë përpjekjes sonë për t’i parë kauzat e barazisë të bëhen realitet në shoqërinë tonë. Vet themelimi i GVV (Gratë për VETËVENDOSJE!) është paramenduar si vazhdimësi e kësaj përpjekjeje të gjatë për të krijuar hapësirat e nevojshme që gratë dhe vajzat të jenë të përfaqësuara në të gjitha strukturat e Lëvizjes, e kauzat e tyre të bashkërendohen me veprime të qarta edhe në mandatet qeverisëse.
VETËVENDOSJE! do të thotë Lëvizje e gjerë, struktura të reja, drejtim progresist dhe organizatë e fuqishme.
Ju ftoj të gjithëve të votoni në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, këtë të diel të 25 shtatorit, e të përmbyllim procesin zgjedhor suksesshëm.
Na priftë e mbara.