Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi ka shprehur keqardhje që subvencionet për zhvillim ekonomik janë zvogëluar për tetë milionë. Bujanoci në vitin e kaluar ka qenë më efikas në realizimin e projekteve në krahasim me Medvegjën dhe Preshevën, ka thënë Arifi, duke shtuar që është e arsyeshme që këtë vit komunës së Bujanocit i kanë takuar 45 për qind të buxhetit për jugun e Serbisë, shkruan agjencia e lajmeve “Beta”, transmeton Titulli.com.
“Ne shprehim keqardhje që Kuvendi i Republikës së Serbisë ka zvogëluar mjetet për punën e Trupit Koordinues, respektivisht pozicionin për subvencione që kemi filluar t’i realizojmë prej vitit 2012. Mendoj qe kjo ka dhënë rezultate sa i përket zhvillimit ekonomik”, ka thënë Arifi pas mbledhjes së kryesisë së Trupit Koordinues të mbajtur dje në Beograd.
Sipas kryetarit të Trupit Koordinues, Zoran Stankoviq, komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, për vitin 2016 do të marrin gjithsej 255.5 milionë dinarë nga qeveria republikane. Prej kësaj shume, komunës së Bujanocit do t’i ndahen 114.4 milionë, Preshevës 105 milionë, ndërsa komunës së Medvegjës 36.1 milionë dinarë.