Para pak ditësh, është bërë hapja e fushatës së brendshme zgjedhore në degën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan. Aktualisht, Flurim Arifi është kandidati i parë që ka bërë publike interesimin e tij për të kërkuar besimin që të jetë në krye të degës, duke ua bërë të ditur aktivistëve, anëtarësisë dhe simpatizuesve të PDK-së, dhe gjithë të interesuarit që do të përfshihen në këtë proces zgjedhor, ambicien e tij për zgjedhjet e brendshme në PDK, si kandidat për kryetar dege.
Për më tepër, ka bërë publike një dokument, një platformë që sipas tij, paraqet vizionin reformues në PDK-në e Gjilanit. Ai. reformën në parti e bazon, siç thotë, në idenë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për ndryshim kualitativ në strukturat e partisë.
Arifi reformën e PDK-së në Gjilan e prezanton edhe si reformë të qytetit, pasi për të, reformimi do të thotë edhe zëvendësim i strukturave udhëheqëse të partisë. Arifi reformën e sheh si të vetmin mjet për të rikthyer fitoren e PDK-së në Gjilan. Konsideron se reforma si proces duhet të jetë parimore dhe e ndershme, pa përjashtime dhe duke respektuar kontributin e secilit.
Arifi në platformën e tij reformuese thekson se Reformimi i Degës së PDK-së në Gjilan nuk është përjashtim i disa figurave, por përjashtim i status quos, përjashtim i mentalitetit me inercion, që përpiqet të ruan gjendjen ekzistuese, edhe kur koha e kërkon domosdoshmërish ndryshimin, pas rezultatet e dobëta nga dy palë zgjedhjet e kaluara lokale.
Ai pohon se secili gjykim apo vlerësim i një kreu aktual për krerët e mëparshëm të një organizate, është konflikt interesi, prandaj premtimi i tij si kryetar i ardhshëm i PDK-së është mirënjohja për kontributin e secilit, pavarësisht pozitës hierarkike brenda subjektit partiak.
Sipas Arifit, PDK-ja nuk duhet të identifikohet me emrin apo kultin e një personi, ndonëse fuqia e personalitetit apo autoritetit të një individi brenda subjektit politik, është e jashtëzakonshme dhe në disa raste, edhe vendimtare, nëse kombinohet parimisht me struktura të organizuara mirë.
Arifi duke besuar se kandidatura e tij do të përkrahet dhe besimi do t’i jepet, thekson se në mandatin e tij si kryetar i ardhshëm, do të ketë aktivitete, të cilat do ta bëjnë degën e PDK-së më aktive dhe përgjatë tërë mandatit, e jo vetëm në kohë fushate elektorale.
“Dega e PDK-së nuk do të shkrihet nën emrin tonë personal, por me synimin që ne të shkrihemi në PDK, duke mos lënë hapësirë për kulte personaliteti dhe për individë të pazëvendësueshëm. Për PDK-në, do të jetë me rëndësi rivitalizimi, dinamizmi i ri i brendshëm dhe rimotivimi për të punuar brenda partisë, duke krijuar besimin e qytetarëve të Komunës së Gjilanit, që PDK-ja të jetë sërish në udhëheqjen e komunës”, ka thënë Flurim Arifi.
Sipas tij, reformimi i degës së PDK-së në Gjilan, është kërkesë jo vetëm e anëtarësisë së gjerë, por e të gjithë qytetarëve gjilanas.
Ndryshe, pritet që në ditët në vijim të dihen edhe interesimet tjera të mundshme në garën për kryetar të Degës së PDK-së, zyrtarizimi i kandidaturave dhe zhvillimi i procesit që do ta bëjë PDK-në me kryetar të ri, me njërin nga ata që do t’i hyjnë kësaj gare. Hë për hë. Flurim Arifi është i vetmi që ka bërë publike ambicien e tij për këtë pozitë, ndonëse të përfolur ka edhe emra të tjerë.