Në një intervistë ekskluzive për portalin Titulli.com, kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, flet për integrimin e shqiptarëve në organet shtetërore, për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe për funksionimin e pushtetit lokal në Bujanoc. Lidhur me problemin e teksteve mësimore dhe mundësinë e përdorimit të teksteve nga Kosaova, Arifi thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet me marrëveshje brenda dy shteteve fqinje.
Titulli: Çfarë mendoni për integrimin e shqiptarëve në organet shtetërore? Edhe në Raportin e Progresit të KE-së thuhet se shqiptarët e këtij rajoni janë të nënpërfaqësuar në këto organe. Si e shihni ju dhe partia juaj këtë problematikë?
Nagip Arifi: Ky është një problem që po zgjat me vite të tëra. Në vitin 2010 qeveria e Republikës së Serbisë ka aprovuar një plan për t’i kyçur shqiptarët në organet shtetërore, dhe në atë drejtim shumë pak është punuar. Në përjashtim të disa personave që janë punësuar në dogana, edhe atë në kohë të caktuar, nuk ka përmirësime, edhe pse në atë kohë, në atë program janë paraparë të hapen diku 63 vende të punës për shqiptarët. Para disa ditëve kam pasur takim me zëvendësin e ombudspersonit, i cili duhet t’i mbrojë të drejtat e pakicave, por kam njoftuar edhe ambasadorin e Bashkimit Evropian, ambasadorin e OSBE-së lidhur me këtë çështje. Kam dhënë edhe numra statistikor se sa janë shqiptarët të përfaqësuar në organet shtetërore. Për këtë çështje duhet vetëm vullneti i qeverisë së Serbisë për ta zbatuar, sepse nuk e dëmton buxhetin e Serbisë punësimi i 100 shqiptarëve në organet shtetërore. Kjo çështje është më shumë politike se sa ajo që duhet të realizohet në organet shtetërore. Mendoj këtu se edhe qeveria e Republikës së Kosovës duhet të bëjë më shumë, pasi është në bisedime në Bruksel me qeverinë e Serbisë. Atje është krejt e kundërta, qeveria e Kosovës ka shprehur dëshirë që të kyç pakicën serbe në organet shtetërore, në anën tjetër, shqiptarët këtu kanë shprehur vullnet që të kyçen në organet shtetërore, por qeveria e Serbisë nuk ka vullnet, nuk dëshiron t’i ketë shqiptarët aty. Këtë që po ju them juve, i kam thënë shumë herë edhe ambasadorëve të BE-së dhe atij të OSBE-së në Beograd. Shpresojmë që ky do të jetë një kusht prej kushteve të shumta që Serbia duhet të plotësojë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe është momenti ku sigurisht Bruskeli zyrtar t’i thotë një ditë Serbisë mjaftë se nuk mund të përparosh në këtë drejtim. Është një e mirë që shqiptarët kanë vullnet të inkuadrohen, të japin kontributin e vet si çdo qytetar, e para së gjithash t’i ndihmojnë shqiptarëve në problemet e përditshme të tyre. Në këtë drejtim, ne duhet të punojmë, të kërkojmë, të bëjmë presion edhe te faktori vendor, apo qeveria e Serbisë, por edhe tek faktori ndërkombëtar. Me një fjalë, punët e mira vijnë dalëngadalë, punët e këqija vijnë shumë shpejtë.
Titulli: A mendoni se shqiptarët janë unik lidhur me këtë çështje?
Nagip Arifi: Për fat të keq, shqiptarët nuk janë unik edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe këtu. Unë kuptoj nganjëherë që opozita duhet të sulmojë pozitën për të çuar një çështje përpara, por kur janë interesat e përgjithshme duhet të jemi së bashku. Mund të them lirisht që në momentin e hartimit të planit shtatë pikësh të gjithë subjektet politike thanë PO në këtë drejtim, dhe mund të them që takimet që i kemi me faktorin ndërkombëtar, por edhe me qeverinë e Serbisë, jemi për t’i zgjedhur çështjet që i preokupojnë shqiptarët, dhe atje jemi së bashku. Për fat të keq, në lokale dhe çështjet e interesit e shqiptarëve këtu jo. Unë kam ftuar opozitën shumë herë në takime të cilët kanë qenë në interes të shqiptarëve, nuk kanë ardhur, e në anën tjetër kur i fton ndonjë përfaqësues i qeverisë së R. Serbisë ata vijnë, në këtë ndërtesë dhe mbajnë takime, kurse te kryetari i komunës nuk vijnë.
Për më tepër nga intervista në: