“Arbër Maliqi prej sot i bashkohet AAK-së në Gjilan”, ka bërë me dije, Nazim Gagica, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan.
Ai më tej ka ofruar informacione për të sapoaderuarin në AAK, duke thënë se ai ka mbaruar Masterin në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës, dega Solo Këndim. Është anëtar i Filharmonisë së Kosovës. Arbëri është profesionist i fushës dhe nga sot edhe vlerë e shtuar në Aleancë.
Gagica ka bërë me dije poashtu se Arbëri ka qenë kandidat për Anëtar të Kuvendit Komunal në Gjilan nga radhët e AKR-së.
“Aleanca në Gjilan po rritet çdo ditë e po pasurohet me profesionistë nga të gjitha fushat, kuadro që po lënë gjurmë kudo që ata veprojnë”, ka thënë Gagica.
Ai ka shtuar se Aleanca mbetet e hapur sot e përjetë ndaj kuadrove që duan të japin kontributin e tyre në interes të Gjilanit dhe të qytetarëve.
“Mbetemi të vendosur për të mirën e Komunës dhe të shtetit tonë, sepse kemi dëshmuar se interesi i përgjithshëm mbetet prioriteti ynë i përjetshëm”, ka thënë Gagica i AAK-së. /2LONLINE/