Në kuadër të “Flakës së Janarit 2020”, në Gjilan, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur Akademi Përkujtimore në përvjetorin e vdekjes së presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në të cilën pos ish-bashkëpunëtorëve të tij të dikurshëm të ngushtë, kanë marrë pjesë edhe anëtarë të familjes Rugova.
Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se ky muaj, muaji i Flakës së Janarit, evokon edhe historinë e Kosovës.
“Historinë e vuajtjes e të sakrificës, të organizimit dhe mobilizimit, të krijimit të identitetit tonë politik dhe shtetëror, të pavarur dhe të vendosur për liri e pavarësi! Pavarësi me të cilën identifikohet arkitekti i Republikës, Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Ai të cilin e kujtojmë dhe e nderojmë si njeri të paqes dhe qëndresës kombëtare. E kujtojmë si njeriun e urtë të dashur, njeri të vendosur dhe këmbëngulës për pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, aspiratat tona kombëtare mbesin të pandryshuara: e drejta për bashkimin kombëtar!”, ka thënë Ismajli.
Ismajli tha se Rugova është shquar si një studiuesi të zellshëm i kritikës dhe estetikës, mbase nga më të mirët që pati vendi, lideri më i mirë, duke u vlerësuar gjithandej se Presidenti Ibrahim Rugova, ishte nga intelektualët më të mëdhenj të kombit, andej dhe këndej Drinit.
“Presidenti Rugova ishte fjalëpakë, por i mençur e parimor. Andaj, të gjithë ne që pretendojmë të jemi Brezi i Republikës, duhet ta ndjekim shembullin e tij. Me pak fjalë, por me shumë punë e me nder, në mënyrë që të zhvillojmë pavarësinë e brezave para nesh, të cilët dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e vendit, të prirë nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova. Pishtari pa të cilin historia jonë e tanishme do të ishte krejt ndryshe”, tha Arbër Ismajli, që evokoi edhe takimin e tij me presidentin Rugova, dashurinë që ai kishte për Gjilanin dhe njerëzit e tij, për vizionin e Rugovës dhe porosinë e tij për ndërtimin dhe konsolidimin e vendit.
Dr. Daut Bislimi, ish-bashkëveprimtarë i dr. Rugovës në Institutin Albanologjik të Kosovës, është paraqitur me një kumtesë të titulluar “IBRAHIM RUGOVA – një Kristal në themelet e pavarësisë së Kosovës”, në të cilën ai ka shpalosur hollësi për presidentin historik të Kosovës, që nga pamja e sjelljet e tij deri te puna e tij shkencore e deri te njeriu vizionar.
Duke kapërcyer nëpër kohë, në të cilën punoi e veproi dr. Ibrahim Rugova, dr. Daut Bislimi është ndalë te interesimet e presidentit historik për fatin e të parëve të tij, për Rugovën studiues i shquar për veprat e Pjetër Bogdanit e të kritikës letrare, por edhe për inkuadrimin e tij të guximshëm në politikën kosovare, për qëndrimin e tij politik, filozofinë tij politike, durimin e tij e karakterin prej trimi, i fjalëve të buta e i argumenteve të forta. Rugova do të mbetet në mend si arkitekti i pavarësisë së Kosovës, si autor i ikonave të Dardanisë, himni e flamuri dardan, kurse se sa ai ishte i dashur për popullatën dëshmon kortezhi i pafund me rastin e vdekjes së tij më 21 janar 2006.
“Dr. Ibrahim Rugova bëri që atdheu i tij të njihet në spektrin ndërkombëtar, i dha dinjitet vendit, pasuroi gjuhën e popullit të vet, ishte humanist i shquar, reformator energjik, një enciklopedi brilante. Ai ishte apostulli i Shqipërisë, që rrezatoi në qiellin tonë si meteor që ka shkëlqimin e përjetshëm prapa”, tha ndër të tjera dr. Daut Bislimi.
Në këtë akademi është dhënë edhe një program i pasur me këngë solistike, korale dhe instrumentale, të përgatitura nga Kori dhe artistët e qytetit.