Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, që vije nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), subjekt politik që bashkë me partnerë, qeverisë me Gjilanin, ka thurë fjalë të mira për anëtarin e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shefik Surdullin, që vije nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), subjekt opozitar.
“Bashkëpunimet e tilla pozitë-opozitë janë në interes të ndërtimit dhe rregullimit të jetës publike të të gjithë qytetarëve”, ka thënë Ismajli, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Këto komente pozitive, që dikush nga pozita i adreson dikujt në opozitë, janë të rralla, e nënkryetari Iismajli i ka bërë pas një takimi që ka pas me Surdullin e PDK-së që kishte qenë në komunë bashkë me përfaqësuesit e një lagjeje të qytetit, për shkak të një halli që kanë, konkretisht banorët e rrugës “Metush Krasniqi”, që kanë mungesë të kanalizimit të ujërave të zeza si dhe të ujësjellësit.
“Këshilltari komunal i Gjilanit, Shefik Surdulli së bashku me një pjesë të banorëve të rrugës “Metush Krasniqi” ishte në vizitë për t’i dalë në krahë në zgjidhjen e një problemi që kanë këta banorë rreth ujërave të zeza. Ne u zotuam ta fusim në planin e prokurimit për vitin 2020 dhe në pranverë të intervenojmë në sanimin e këtij problemi për banorët e kësaj lagjeje”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Ai ka përgëzuar Shefik Surdullin për angazhimin e tij serioz për t’i dalë në krahë banorëve të rrugës “Metush Krasniqi”, duke thënë se bashkëpunimet e tilla pozitë-opozitë janë në interes të ndërtimit dhe rregullimit të jetës publike të të gjithë qytetarëve, transmeton 2LONLINE.com.
LEXO EDHE: Surdulli: Edhe atëherë kur kanë halle qytetarët, ne duhet të jemi pranë tyre