Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Kombit, Sinan Sadiku vije me një poezi kushtuar dëshmorit Agim Ramadani. Lavdi të gjithë dëshmorëve!
ANTOLOGJI LIRIE
(Agim Ramadanit)
VARIANTI I PARË
E rrëzove atë guri
atë pjellë të vitit të kobshëm
mizoritë e të cilit
kalëruan mes për mes etnisë
gati një shekull
E rrëzove atë guri
ku strehohej i gurit
dhe ngrehte dolli
sa herë që në kurthet e tij
ngulfateshin ëndrrat
Vdekja vraponte si e çmendur
i veshte me të zeza festat dasmat
që përfundonin
para se t’niseshin
Ishe vëllazëruar me fjalën
me figurën me poezinë
Ti ishe… Ti je poezia
je kënga
je piktura e lirisë
I doje ngjyrat
luaje kënaqeshe me to
Me të kuqen
atdheun rilinde
VARIANTI I DYTË
Kur vdekja vraponte
si e çmendur
dhe i veshte me të zeza
festat dasmat
që përfundonin
para se t`niseshin
ti erdhe
Një pranverë
të vizatuar në zemër kishe
me fjalën vëllazëruar ishe
me këngën poezinë
I doje ngjyrat
luaje me to kënaqeshe
Me të kuqen
atdheun rilinde
Pastaj u fshehe thellë diku
në të lashtën Dardani
si kryepikturë
si krye poezi
Faqeve të lirisë mbete
… antologji