Gazmend Murseli, përfaqësues i ANP-së, i tha Portalit të Lajmeve Lokale “2lonline”, se projekti “Të ndryshojmë diçka përmes artit” ka për qëllim të nxisë të rinjtë e regjionit të Gjilanit që të rishqyrtojnë veprimet e tyre dhe të zbulojnë mekanizma të rinj për krijimin e një ambienti paqësor, ku toleranca dhe dialogu ndëretnik do të jenë shtyllat kryesore për respektimin dhe pranimin e dallimeve.
Murseli tha se kjo do të kontribuojë që të rinjtë përmes aktiviteteve kreative dhe artistike t’i shprehin haptas qëndrimet dhe opinionet e tyre për problemet në komunitet, si dhe të marrin pjesë në fushatën avokuese për krijimin e një qendre shumë kulturore në komunën e Gjilanit.
Sipas tij, në kuadër të këtij projekti do të realizohen aktivitete të ndryshme dhe njëra ndër to edhe trajnimi për transformim të konfliktit me temat: komunikimi/komunikimi i pa dhunshëm, punë ekipore, marrja e përbashkët e vendimeve, aksioni i pa dhunshëm, perceptimi, avokimi dhe kreativiteti.
Përndryshe, trajnimi 4 ditor do të mbahet prej datës 01.10 – 05.10.2010 në Ulqin, Mali i Zi.
Për të mësuar më tepër për metodologjinë, kriteret për pjesëmarrje, mënyrën e aplikimit dhe të dhëna të tjera, në anën e djathtë mund të shkarkohet aplikacioni, të cilën pasi ta plotësoni mund ta dërgoni në e-mail adresën [email protected] më së voni deri më 18.09.2010
Në këtë trajnim do të marrin pjesë 20 pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet e regjionit të Gjilanit. Pasi që numri i pjesëmarrësve është i kufizuar, ANP fton aktivistët e OJQ-ve, njerëzit aktiv në media, mësimdhënësit, artistët, përfaqësuesit e partive politike, studentët dhe individët e motivuar që të aplikojnë. /2lonline/