Anëtarja e sekretariatit për arsim të Nisma’s në Gjilan, Anila Tusha – Kastrati ka reaguar për gjendjen e shkollës së mesme “Arbëria” në Gjilan, raporton Gazeta Monitor.
Tusha-Kastrati ka parashtruar një mori pyetjesh, prej të cilave ka synuar të vë në pah problematikën që po e përcjellë këtë shkollë. Gjithashtu, ajo ka bërë thirrje që kjo shkollë të mos lihet nën mëshirën e fatit.
Lexoni reagimin e saj:
Shkolla e mesme bujqësore “Arbëria” në Gjilan këto ditë është bërë arenë debatesh e disa partive politike. Dikur një ndër shkollat me renome dhe reputacion të shkëlqyer në komunë sot mbetet në mëshirën e fatit, duke ditur se në të punojnë njerëz me kapacitete të ndryshme inxhinierë, agronomë, veterinerë, dhe staf tjetër plotësues të diplomuar brenda dhe jashtë Kosovës.
Të nderuar deputetë të Anamoravës, ju të parlamentit të Kosovës apo dhe këshilltarë komunal! Reagimet tuaja tashmë kaluan çdo cak. Është për të ardhur keq mënyra se si diskutoni dhe paragjykoni duke na fajësuar ne për gjendjen aktuale të kësaj shkolle kur fort mire e dini faktin se po përballemi me ekzistencën, fyerjet dhe akuzat e pabaza që dalin nga individë të caktuar.
Aspak nuk tentuat të ngrini zërin kur e dinit mirë se sa inxhinierë të bujqësisë dolën vitin e kaluar tepricë teknologjike dhe numri i tyre u shtua sivjet duke mbetur me gjysmë norme.
A e dinit se ish drejtori i DKA-së z. Nazmi Musa nuk respektonte fare udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit për normativin e nxënësve nëpër klasa nga 32 i lejuar në mbi 45 nxënës e më shumë nëpër klasa. E për ironi të fatit tradita vazhdon… Rritet numri i të pranuarve në gjimnaz dhe mjekësi duke u formuar dhe dy paralele të reja.
Ne, disa here tentuam të ndryshojmë gjendjen por nuk pati rezultat. Ne kërkuam ndihmë nga ju përndryshe nuk na u deshën fare paragjykimet dhe klasifikimet që padrejtësisht iu bëtë fëmijëve tanë duke i quajtur elitarë dhe jo elitarë, katundarë apo qytetarë, dhe stafin profesional apo jo profesional, duke u munduar të zbehni imazhin tonë dhe duke na demoralizuar në këtë fillim viti shkollor.
Aspak nuk e kuptoj se me çfarë guximi dhe ndërgjegje ju flisni në emrin tonë kur nuk jeni në gjendje të na kuptoni se sa vështirë e kemi t’i bindim prindërit që t’i sjellin fëmijët e tyre në këtë shkollë, shkaku largësia dhe siguria e tyre jashtë shkollës. A nuk është perspektiva e këtyre fëmijëve po aq e rëndësishme sa edhe e fëmijëve tuaj?
Sylejmani nuk jemi ne, që po i vëmë drynin shkollës, jeni ju që me inferioritetin, neglizhencën dhe mungesën e guximit nuk keni mundur të mbroni interesat tona dhe të fëmijëve tanë. Me një projekt të dështuar nga vetë ju, kërkoni fajtorët kur i keni në mesin tuaj.
Pyetja tjetër është për zonjën Shukrije Rapuca e cila në emër të PDK-se prononcohet për mediat dhe thotë se kjo shkollë e ka vendin aty ku është, duke mos njohur faktet , rrethanat dhe gjendjen aktuale të shkollës tonë.
A keni menduar moj zonjë e nderuar se ku do ta ketë vendin kjo shkollë pa nxënës dhe pa profesorë vitin e ardhshëm? Cili është misioni juaj për punësim, apo shuarje të pozitave të punës?
Ju jeni arsyetuar me investimet e Danidës dhe lokacionet e shkollave në perëndim, por keni harruar se ne as nuk iu përafrohemi jo vetëm standardeve të tyre, por edhe as mentalitetit krejtësisht ndryshe që ata kanë për profilet e bujqësisë.
Ata pranojnë nxënës me kritere të forta dhe investojnë që ata të bëhen inxhinierë të bujqësisë në të ardhmen. Ata punojnë dhe projektet e tyre i realizojnë përmes planeve afatgjate.
Ne nuk jemi mollë sherri për askënd, askush të mos mendojë se është në pronat e tij. Ne jemi kolegët tuaj që ashtu si ju, po përgatisim gjeneratat e reja, dhe mbi të gjitha, jemi qytetarë të kësaj komune, që kemi të drejtë të ngremë zërin për një interes që është i përbashkët. Kosova si një vend prioritar për zhvillimin e bujqësisë kërkon agronomë, veterinerë dhe inxhinierë të kualifikuar të bujqësisë.
Lutfi Haziri, ju dhatë fjalën se do të ndërronit lokacionin e shkollës duke na premtuar se do të na bënit edhe ne, pjesë të kampusit të shkollave të mesme, ashtu siç e meritojmë.
Ju lutem kthejani gjallërinë e dikurshme shkollës, pak punë për rehatinë tonë. Ne nuk lamë mjet dhe formë pa përdorur, tani është radha juaj të vendosni dhe të iu jepni fund të gjitha spekulimeve politike. Ku është premtimi juaj? Si do ti vejë halli kësaj pune? Një fjalë e urtë popullore thotë “ Se pas dimrit vjen behari” .
http://www.gazetamonitor.com/shkolla-bujqesore-ne-gjilan-ne-meshire-te-fatit/