Angazhimi i Sabit Rrustemit në zhvillimin e jetës kulturore në Gjilan e gjetiuNexhat REXHA

Angazhimi i Sabit Rrustemit në zhvillimin e jetës kulturore në Gjilan e gjetiu

(E shkruar enkas për dyzetvjetorin e krijimtarisë letrare dhe asaj vepruese të shkrimtarit Sabit Rrustemi, mbajtur në Gjilan, më 22 dhjetor 2017, në Bibliotekën e re të qytetit)

Shkruan: Nexhat REXHA

Arti letrar dhe jeta kulturore janë dy faqe të afërta që kërkojnë bashkëjetesë, koordinim me njëra tjetrën, ato kërkojnë edhe më shumë sakrificë në realitetin shqiptar. Në këtë shtegtim është krijuar edhe portreti letrar e kulturor i Sabit Rrustemit.

Rruga jetësore artistike e tij i ka shtegtimet që në rini, ai herët filloi të rropatet me shkrimet letrare, të cilat në vazhdimësi e lidhën jetën, leximin dhe shkrimin me botën e tij në çdo kohë. Duke dëshiruar, ëndërruar vargun poetik , Sabiti poezinë e parë e botoi më 5 shkurt 1977 në revistën “Zëri i rinisë”, që nga punimi i parë ai nuk do të ndalet së botuari, vetëm një muaj më pas boton në ‘Zëri” ciklin poetik” Letër nga Vjena” kushtuar babait të tij, i cili punonte në Austri. Në gusht po të atij viti në “Rilindje” i botohet një cikël poezish me titullin” Ndodhi e një kohe”.

Nga Vjeshta e vitit 1978 filloi bashkëpunimin me gazetën e studentëve “Bota e re”,kurse nga vitit 1979 në këtë gazetë punon si gazetar i rregullt . Deri më 8 maj 1981 ka bashkëpunuar e botuar në gjitha revistat e gazetat e kohës. Gjatë kësaj periudhe kohore ai mori pjesë në konkurse anonime letrare dhe u shpërblye disa herë për poezi e tregime.

Në numrin 7 të revistës “Fjala” me një prill 1981, në kohën kur Demonstratat e rinisë shqiptare bëheshin në Prishtinë, Sabiti ishte pjesëmarrës dhe po në këtë kohë iu botua tregimi “ Nën maskën e mysafirëve” . Të përkujtojmë se revista “Fjala”, të njëjtën ditë që doli në shitje, të gjithë ekzemplarët , brenda ditës fluturuan si zogjtë në çerdhen e tyre , ajo u shitë brenda ditës dhe më kotë e kërkuan inspektorët e sigurimit për ta tërhequr nga shitja revistën .

Ky tregim u bë shkak për dënimin e autorit me katër vjet burg dhe kryeredaktorit të revistës Sabedin Haliti me tri vjet burg, dënime të cilat u ankimuan me të drejtë dhe pas tri shoshitjeve gjyqësore në periudhën 1981 – 1897, përfundimisht zbritën në nga pesë muaj burg, si për njërin, ashtu dhe për tjetrin, të cilat dënime padrejtësisht dhe në mungesë të plotë të fakteve, i vuajtën.

Në të përditshmen “ Rilindja e datës 29 gusht 1981, shkruhet:” Ndonëse mbrojtja, gjatë gjykimit në Prishtinë theksoi se në tregim nuk përmendet as vendi e as vitit i ngjarjeve, prapë se prapë, u dëshmua në mënyrë të pamohueshme se fjala është për një tekst armiqësor”.

Për disa vite Sabitit iu ndalua botimi i krijimtarisë letrare, ani pse ai kishte pasur në proces botimi, vëllimin poetik, “Korzo e lirë” që doli tek në vitin 1990 me titull, Ku i la lisat era”, përmes redaksisë së Botimeve “ Rilindja “. Ndërsa libri me tregime, i po atij viti ( 1981) që ishte në proces botimi nga Redaksia e revistës “Zëri i Rinisë”, me titull, “Më fliste një zë”, u botua pjesërisht tek në vitin 1993 në vëllimin me tregime “ Pika e Zezë”, i botuar në Shkup nga e Redaksia e Botimeve “Flaka e Vëllazërimit” si dhe më 1997, në vëllimin e dytë me tregime, “Maska e mysafirëve”, përmes Shtëpisë Botuese “ Buzuku” nga Prishtina.

Pas shtypjes e dhunës në të gjitha sferat e jetës shoqërore në Kosovë, nga politika e administrimi serb , jeta kulturore në Kosovën e viteve të 1990-ta sikur mori një dimension më ndryshe . Në këtë realitet të dhunës e okupimit klasik, Sabit Rrustemi me disa veprimtarë e adhurues të fjalës së lirë themelojnë Shoqatën e Pavarur Kulturore në Gjilan, përmes së cilës vepruan dhe nuk u ndalën deri në fillimin e bombardimeve, më 24 mars 1999, duke qenë faktikisht promotorë të jetës kulturore në tërë krahinën e Anamoravës e, shembull për krejt Kosovën .

Nga kjo periudhë kohore daton edhe Manifestimi në shkallë kombëtare, “Flaka e Janarit” ( 1992 ) e cila sot e asaj dite ruajti vazhdimësinë dhe misionin e përkushtimit të martirëve të lirisë dhe njerëzve të shquar të kombit, përmes vlerave të artit. S’do mend se anfazhimi i Sabitit në themelimin dhe organizimin e këtij Manifestimi deri në ditët e sotshme, është i pashembullt “ Flaka e Janarit” , si manifestim gjithpërfshirës, brenda e jashtë kufijve etnikë të qenësisë shqiptare, nga themelimi e deri ne ditët e sotme ka ruajtur e krijuar ura lidhëse me të gjitha trevat shqiptare si dhe mërgatën tonë nëpër botë.

E kësaj kohe dhe e koncpuar nga Sabiti bashkë edhe me pena tjera të shquara të kësaj pjese kosovare si Beqir Musliu”, është edhe revista kulturore – letrare “AGMIA” , numri i parë i së cilës u botua më 1994 ku editorialin e parë e shkroi shkrimtari shquar gjilanas, Beqir Musliu, që ishte i pandashëm nga të gjitha zhvillimet kulturore – letrare të asaj kohe, madje dhe bashkëthemelues i Manifestimit kombëtar të kulturës, “Flaka e Janarit”.

Pas luftës së Kosovës ( 1999 e këndej, Sabit Rrustemi ishte pjesë e krijimit dhe e vendosjes së institucioneve komunale të Gjilanit ( 2000 – 2001 )po dhe epjesë e tyre deri në vitin 2008 kur edhe angazhohet në institucionet qendrore në prishtinë. Fillimisht në KQZ, ku ishte për 9 muaj anëtar i saj e, më pas për dy vite e gjysmë, pjesë e Qeverisë së Kosovës, si këshlltar politik për media, në periudhën 1 dhjetor 2008 – 18 tetor 2010)

Pavarësisht angazhimeve institucionale si dhe marrjes me publicistikë, nga angazhimet kulturore – letrare, nuk u shkëput asnjëherë, deri në ditët e sotshme.

Në vitin 2004, ish Fondin letrar “Beqir Musliu”, i themeluar më 1997, e shndërron në Ars Clubi “ Beqir Musliu” bashkë edhe me shumë miq e krijues nga Anamorava e Prishtina, si asociacion alternativ i shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan, duke e avansuar më teje sidomos jetën letrare.

Po nga ky vit ( 20040, me ideimin e tij dhe propozimin e Ars Clubit “Beqir Musliu”, në Gjilan, nga Zyra e Kryetarit të Komunës, themelohet Çmimi letrar “Beqir Musliu” si çmim i vlerave artistike për shkrimtarët e shquar të cilët kanë rrumbullakësuar një karrierë të bujshme letrare.

Në këtë kohë, Sabit Rrustemi ishte pjesë e kësaj Zyreje, përkatësisht Udhëheqës i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun (janar 2001 –tetor 2008 ) dhe ndikimi i tij në themelimin e këtij Çmimi i cili sot numron 11 laureatë, ishte i padiskutueshëm.

Nga viti 2010, Sabit Rrustemi, fillimisht përmes Ars Clubit “Beqir Musliu”, themelon edhe Shtëpinë Botuese me po këtë emër nga ku dalin edhe botimet e para gjatë të njejtit vit. Por, shkaku i respektimit të procedurave ligjore me rastin e regjistrimit, u detyrua ta paraqes si Shtëpi botuese private, nga e cila deri më tash janë botuar mbi 100 libra, llojesh të ndryshme me autorë nga Gjilani, Kosova dhe mërgata jonë në botë.


Jeta kulturore në qytetin e Gjilanit e më gjerë kërkon e gjen shtrirje të gjerë me organizim të jetës kulturore në fushën letrarepërmes ideve e iniciativave të Sabitit, i cili përherë i realizon përmes bashkëveprimtarëve të kulturës dhe, miqve të letrave, të cilët asnjëherë nuk ia kthyen shpinën.

Kështu vjen edhe Manifestimi kulturor “Ditët e Agimit” , në shenjë të respektit për luftëtarin e heroin e lirisë të Kosovës, Agim Ramadanin, i cili në tri vitet e para të themelimit ( 2001, 2002, 2003 ) mbahej në Gjilan dhe Zhegër, kurse më pas, u zhvendos tërësisht në vendlindjen e heroit që është edhe vendlindja e Sabitit. Pjesë përbërëse e këtij Manifestimi është edhe pjesa letrare e titulluar “Muza e Agimit”, ku deri sot kanë nderuar me vargjet e tyre emra emeinentë të letërsisë shqipe nga e mbarë harta etnike shqiptare. E, kjo falë edhe angazhimit të Sabit Rrustemit.

Por, Sabit Rrustemi, me ide e iniciative në themelimin dhe realizimin e Manifestimeve të reja, shkon më tej.

Përmes Ars Clubit “ Beqir Musliu”, në vitin 2010 ,filloi edhe vazhdon të mbahet manifestimi letrar me emrin ” Vjeshta letrare e Gjilanit”, një manifestim unikat – maratonë në trevat shqiptare, me një kohëzgjatje gati sa vetë stina e vjeshtës ku, paraqiten botimet e reja, emra të shquar shkrimtarësh si dhe grupe e klube shkrimtarësh nga e gjithë hapësira shqiptare, duke ia dhënë kështu Gjilanit epitetin e një qendreje nacionale të kulturës shqiptare.

Po përmes këtij asociacioni letrar që drejtohet nga Sabit Rrustemi, nga viti 2011 e këndej, themelohet dhe vazhdon së organizuari deri në ditët e sotshme, edhe Manifestimi Rajonal i Poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes”, në shenjë të 12 Qershorit – Ditës së lirisë për Kosovën dhe ate, pikërisht në një trekëndësh kufitar, ku mëtohet sot e asaj dite që përmes vargjeve me shpërnda shenja paqeje e afrie midis popujve.

Në këtë Manifestim, që nga filimi, pjesmarrëse të përhershme janë tri shtete, Kosova, serbia e Maqedonia, ndërsa si mysafire të rregullta, edhe Shqipëria e Mali i Zi.


Në organizim të jetës kulturore Sabit Rrustemi në qytetin e Gjilanit krijoi hapësirë me njohje të reja të kulturës artistike, duke e lidhur aktivitetin kulturor me disa qytete nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova Lindore dhe mbarë Kosova.

Kështu , Ars Clubi “ Beqir Musliu “ ka krijuar mundësi e lidhje me manifestime reciproke me qytetin e Sarandës, Durrësit, Kukësit, Kumanovës, Shkupit , Tetovës e Preshevës si dhe me shumë qytete të Kosovës ( Ferizaji, Prizreni, Peja, Klina, Drenasi, Podujeva, Prishtina ), pa i llogaritur qytetet e Anamoravës, me të cilat bashkëveprojnë thuaja si një trup i vetëm .

Në këto manifestime është krijuar lidhja e njohja me shkrimtarë të ndryshëm. Në manifestimet e Ars Clubit “ Beqir Musliu” janë mbajtur e shënuar paraqitje të shumta të shkrimtarëve tanë nga të gjitha qytetet e përmendura më lartë .

Nga mbajtjet e këtyre aktiviteteve Ars Clubi “Beqir Musliu”, gjithnjë në suaza të vullnetit të mirë e mundësive modeste financiare, mban në jetë revsitën letrare – kulturore AGMIA, ku deri më tash janë si dhedisa numra të Manifestimit letrar “ Vjeshta Letrare e Gjilanit “ dhe të të Manifestimit letrar, “ Trekëndëshi Poetik i Paqes” .

Nën Ombrellën e Ars Clubit “Beqir Musliu”, janë botuar edhe shumë vepra letrare, të autorëve nga të gjitha trevat shqiptare,duke e pasuruar fondin e botimeve të veta Shtëpia Botuese”Beqir Musliu” ka botuar edhe disa vepra të autorëve nga letërsia botërore.

Të gjitha këto aktivitete e zhvillime të jetës kulturore kanë kryeprotagonistin e saj Sabit Rrustemin. Po e them me plotëkuptimin fjalës se zhvillimi i jetës kulturore në Gjilan me Sabit Rrustemin ka krijuar traditën e veçantë, ka krijuar vlerën artistike. Për t`i dhënë kuptim letërsisë në përgjithësi dhe jetës kulturore në Gjilan e më gjerë, si dhe duke e bërë qytetin e Gjilanit qendër të kulturës kombëtare.

Kontributi i Sabit Rrustemit në këto shtegtime i ka edhe sakrificat e veta ,sepse pjesa më e madhe e tyre zhvillohet më shumë në suaza të vullnetit të mire , se sa në ndihmën financiare të institucioneve tona. Kryefjalë e këtyre organizimeve kulturore pa dyshim se është Sabit Rrustemi , kurse kallëzues në këto aktivitete ka edhe shumë të tjerë, me të cilët ai po e shtyn e mbanë të gjallë në jetë fjalën e bukur artistike,duke i dhënë asaj ngjyrim e frymëmarrje sa më të lirë, e të vlerësuar për të gjitha trevat shqiptare.

I tërë ky rrezatim bashkëjeton nën emblemën e qytetit të Gjilanit.

Sabit Rrustemi

 

KOMENTE