Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, dr. Valbon Krasniqi dhe kryesuesja e Bordit Drejtues të ShSKUK-së, dr. Agreta Gecaj- Gashi, kanë pritur në takim pune anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Pas takimit, Dr. Valbon Krasniqi, Drejtor i Përgjithshëm i ShSKUK-së, tha se qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i informatave të dyanëshme.
“ Ne shprehem kërkesat tona për mbarëvajtje të punës, përfshirë një përkrahje më të madhe buxhetore, një përkrahje në aspektin të reformimit të legjislacionit. Njëzëri anëtarët e komisionit na falënderuan dhe shprehen mirënjohje për menaxhim të mirë të pandemisë”, u shpreh ai.
Tutje, drejtori Krasniqi tha se në takim është biseduar edhe për tema të tjera, përfshirë mbarëvajtjen e punës në nivel të QKUK dhe spitaleve të përgjithshme, diskutimi për listat e pritjes dhe elminimi e tyre, ku bashkërisht të gjejmë mënyrë që të avancojmë shërbimet tona në nivel më të mirë.
Sa i përket numrit të pacientëve të spitalizuar me COVID-19, ai sqaroi se situata është më e qetë, ku në nivel të klinikave COVID në QKUK dhe spitalet e përgjithshme kemi të shtrirë 426 pacientë, ku 309 janë të konfirmuar me COVID-19, kurse 31 pacientë janë në gjendje të rëndë.
Ai foli edhe lidhur me pagesën e punëtorëve shëndetësor, duke theksuar se do të ishte mirë që të shohim se po zbatohet Ligji i Pagave.
“Konform mundësive buxhetore, kërkojmë që shtesa për punëtorët të jetë sa më e lartë, por zgjidhja më e mirë do të ishte të shohim zbatimin e Ligjit të Pagave, vetëm ai e zgjidhë çështjen e pagesës së punëtorëve shëndetësorë. Punëtorët me, ose pa shtesa, po kryejnë punën e tyre, ka ardhur koha që të marrin pagë të merituar për punë që bëjnë”, përfundoi drejtori i ShSKUK. /2LONLINE.com/