Në ndeshjen e fundit mes Vllaznisë së Pozhoranit dhe Drenasit u vë në pah fusha aspak e përshtatshme për ndeshje futbollistike.
Bari i tharë, balta e terur dhe pluhuri dukeshin më tepër se lojtarët, kjo e vështirësonte edhe më shumë ndeshjen e cila përfundoi pa ndonjë rast të bukur për gol. Vllaznia fitoi me anë të një goli nga penalltia.
Një terren edhe më i komplikuar është ai në fshatin Hogosht, ku skuadra KIKA zhvillon ndeshjet si vendas. Ajo fushë është pa bari, tërësisht e thatë, ndërsa vijat e fushës janë lyer me ngjyrë të bardhë që herë pas here mbulohen nga pluhuri. Mos të flasim për tribinat e tifozëve nëpër kodra apo vendi qëndrimi për gazetarë apo kamerë.
Të dyja stadiumet në fjalë gjenden në Anamoravë, raspektivisht njëri nga ana e Kamenicës, ndërsa tjetri mes Vitisë dhe Gjilanit ne qytetzen e Pozhoranit.
Ndër vite, në këtë pjesë të Kosovës nuk është investuar në infrastrukturën sportive, sidomos në futboll e stadiume.
Stadiumi i Qytetit në Gjilan është duke u rinovuar nga një projekt i Komunës së Gjilanit, por pozita e tij e ngulfatur nga shkollat e mesme, shtëpiat për rreth dhe qasje tejet e vështirësuar me hyrje të ngushta e bëjnë vërtet të pafavorshëm. Hapësira e kufizuar për tifozë dhe për media sidomos në ditën e derbit lokal mes Dritës dhe Gjilanit tregojnë për një stadium të papërshtatshëm për ngjarje të mëdha.
Anamorava ka prodhuar vazhdimisht talent në nivel vendi e ndërkombëtar dhe njihet për futbolldashës e tifozë të zjarrtë si: ‘Intelektualët’ e Dritës, ‘Skifterat’ e Gjilanit,’ Tigrat’ e Pozhoranit, ‘Luanët’ e Kikës dhe të tjerë.
Problem pothuajse të njejtë me fushat e futbollit ka gjithandej Kosovës edhe pse tashmë futbolli kosovar njihet dhe është pranuar nga UEFA dhe FIFA.