/2L ONLINE/ – Nesër në Gjilan do të mbahet protestë e ish punëtorëve të ndërmarrjeve Shoqërore të privatizuara, por të cilat nuk janë likuiduar dhe punëtorëve nuk iu janë dhënë pagat e mbetura, e për të cilat, eta kanë edhe vendime të plotfuqishme nga Gjykatat përkatëse. Po ashtu, në disa ndërmarrje , punëtorët nuk i kanë marr as mjetet e 20 përqindshit, të garantuara me rastin e privatizimit.
Protesta organizohet nga Zyra Regjional e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Aziz Azizi, koordinator i Zyrës Regjionale ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se kjo protestë po iu imponohet punëtorëve nga Agjensioni Kosovar i Privatizimit (AKP), i cili vetëm diti për t’i shitur Ndërmarrjet Shoqërore por jo edhe për t’i kryer obligimet e saja, për t’i barazuar ato.
Azizi tha se Bordi i AKP-së është i formuar mirëpo gjatë punës së tij në Anamoravë ka bërë likuidimin për 13 ndërmarrje shoqërore, mirëpo këto ndërmarrje ishin të vogla, me fare pak punëtorë, kështu që pakënaqësia te punëtorët është e madhe. Ai tha se mund të bëhet likuidimi i të gjitha ndërmarrjeve apo likuidim i përkohshëm e këtë mund ta bëjë ky bord i AKP-së dhe atëherë punëtorët nuk do të kishin nevojë për të dal në rrugë.
“Pothuajse kanë kaluar dymbëdhjetë vite me vendime të plotfuqishme të lëshuara nga Gjykatat përkatëse, që punëtorët vazhdojnë t’i mbajnë në xhepat e tyre. Kjo është marre për Bordin e AKP-së që nuk po i ekzekuton këto lëndë duke bërë që AKP-ja të del edhe mbi ligjin sepse nuk po i respekton as vendimet gjyqësore, por edhe vet vendimet që vet i ka marr. AKP duket se po punon me tekeve të saja”, ka thënë Azizi.
Sipas tij, në Anamoravë janë privatizuar mbi 50 ndërmarrje Shoqërore , prej të cilave vetëm në 13 janë likuiduar apo është bërë likuidim i përkohshëm. Për këtë shkak, nesër, me fillim në orën 12:00, punëtorët e këtyre ndërmarrjeve të komunave Gjilan, Viti e Kamenicë, do të shprehin pakënaqësinë dhe mllefin e tyre ndaj AKP-së, përmes protestës një orëshe, që do të mbahet para teatrit të Qyteti të Gjilanit.
Është e pakuptueshme që kjo çështje po zvarritet me vite të tëra ndërkohë që kemi punëtorë që vdesin pa mundur ta realizojnë të drejtën e tyre, për pagën që i takon. Aq më tepër kur shumë prej tyre tani janë të papunë, po thuajse mbi 90 për qind, por edhe me nevoja shëndetësore për çka kanë nevojë për mjetet e tyre.
Azizi ka kërkuar edhe nga Gjykatat, Dhoma e veçantë, që t’i përshpejtojë lëndët të cilat janë në proces dhe AKP-ja për shkak të atyre lëndëve të pakryera, në disa ndërmarrje nuk po i shpërndanë 20 për qindshin e mjeteve të parapara. Po ashtu Gjykatat duhet ta detyrojë AKP-në që t’i ekzekutojë vendimet e saja, të cilat janë të plotfuqishme. Gjykata duhet të rrijë mbas vendimeve të saja të cilat janë të plotfuqishme qysh që 12 vite më parë.
Përndryshe, Azizi thotë se nëse nuk do të ketë reagime edhe pas protestës paqësore së nesërme që do të mbahet në Gjilan, e që është si thirrje për ndërgjegjësim, atëherë protesta do të ketë edhe në ditët në vazhdim, por se ato atëherë do të jenë edhe më radikale dhe do të zhvillohen edhe para AKP-së në Prishtinë. /2L ONLINE/