Në Parlamentin e Serbisë sot është zhvilluar takimi në mes të përfaqësuesve të Zyrës ndërlidhëse të Prishtinës në Beograd dhe deputetit shqiptar nga Lugina e Preshevës.
Në takimin i cili u zhvillua në hapësirat e parlamentit palët ranë dakord se ky vit mund të vlerësohet i suksesshëm në fushën e bashkëpunimit mes Zyrës së Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë në Parlamentin e Serbisë.
“Ishte një takim në të cilin shkëmbyem mendimet rreth bashkëpunimit që kemi pas me ambasadorin Sadiku dhe Zyrën e Kosovës, gjithashtu u nënvizua që ai të jetë edhe më intensiv në vitin që po vjen”, i tha Titullit, deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi.
Ambasadori Valdet Sadiku dhe zëvendësi Amir Haziri me takimin që zhvilluan njëherit përmbyllën këtë vit punues.
Duhet theksuar se gjatë vitit 2014-të përfaqësuesit e kësaj zyre kanë zhvilluar takime të shpeshta me dy deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimin dhe Shaip Kamberin.