Në shënimin e Ditës së Mësuesit 7 Marsit dhe për të përkujtuar fillimin e shkollës së parë shqipe në Kosovë, në Viti sot kanë qëndruar ambasadorët e gjashtë shteteve që veprojnë në vendin tonë, me që rast janë pritur nga kryetari i komunës Sokol Haliti, kryesuesi i Kuvendit Komunal Bekim Azizi, si dhe bordi i drejtorive komunale.
Për vizitë në Viti ishin ambasadori i Hungarisë, Jozsef BENCZE, ambasadori i Malit të Zi Mirsad Biboviç, ambasadorja e Greqisë Chryssoula Aliferi, ambasadorja e Sllovenisë Minca Benedejčič, ambasadori i Republikës së Shqipërisë Qemal Minxhozi, si dhe ambasadorja Maqedonisë së Veriut, Shpresa Jusufi.
Në fjalën e tij mikpritëse, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se kam kënaqësinë e veçantë, që në cilësinë e nikoqirit dhe në emër të qytetarëve të kësaj komune, të mirëpres ambasadorët e vendeve fqinje. Fillimisht, kryetari Haliti i njohu me veçoritë dhe karakteristikat e komunës së Vitisë, si në rrafshin gjeografik, popullsinë, ekonomik, për bujqësinë, numrin e madh të qytetarëve në mërgatë etj.
“Një karakteristikë e cila e bënë Vitinë edhe më të njohur jo vetëm në vendin tonë por edhe përtej kufijve të saj, është e shenjta nëna e botës “Nëna Terezë”, e cila nisi shtegtimin e saj nëpër botë, nga kisha e Letnicës, për tu bërë sinonim i humanizmit dhe bamirësisë në gjithë globin. Vitia mburret me të kaluarën e saj historike e kulturore dhe konsiderohet si vatër e kulturës shqiptare. Këtu nisi edhe shkolla e parë shqipe që në vitin 1905. Hapja e shkollës shqipe në Stubëll, nga mësuesi Dom Mikel Tarabulluzi, është edhe shkolla e parë shqipe në Kosovë”, tha kryetari Haliti.
Më tej ai shtoi se objekti muze i shkollës së parë shqipe, sot është një dëshmi e së kaluarës dhe një monument i cili ka një histori pesë shekullore që ka kaluar faza të ndryshme, si nga ajo osmane, deri tek rilindësit tanë.
“E them me modesti se Stublla e Vitisë, edhe pse është e vogël nga pikëpamja gjeografike, ajo me traditën e saj rrezaton kulturë e dije dhe është një shembull shumë i mirë jo vetëm për Kosovën, por edhe për tërë rajonin. Në përvjetorët e themelimit të saj, çdo vit organizohet manifestimi tradicional kulturor e shkencor, “Ditët e Dom Mikelit”, ku marrin pjesë intelektualë, poet, shkrimtar e artistë të ndryshëm nga të gjitha trojet shqiptare, ku përmes aktiviteteve të ndryshme, i kontribuohet ruajtjes dhe identitetit të kulturës shqiptare. E sot në Kosovë, shënohet 7 Marsi-Dita e Mësuesit, që është festë kombëtare e që festohet në çdo familje shqiptare. Kjo është një traditë e bukur e krijuar tek populli ynë sepse në këtë ditë të rëndësishme të arsimit shqiptar, kujtojmë me respekt të thellë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha, për zhvillimin e arsimit kombëtar”, tha ai.
Duke folur për situatën aktuale në nivel global, kryetari Haliti theksoi se shfrytëzoj nga rasti që të lutemi për më të mirën edhe për popullin ukrainas, të cilët po përballen me një terror të vërtet, ashtu siç u përballëm ne në një të kaluar jo të largët. Bashkë ndjejmë dhembje me familjet që po humbin më të dashurit e tyre dhe për atë që po ndodhë atje, përfundoi Haliti.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, tha se janë dy gjëra që e bëjnë Vitinë të veçantë në vizitën që po e bëjmë sot. E para se nga kjo komunë, nga Letnica ka nisur shtegtimin e shenjtë Nëna Terezë drejt rrugëtimit për humanizëm, si dhe e dyta që po vizitojmë mu në Ditën e mësuesit më 7 mars, ku është shkolla e parë shqipe në Kosovë.
Ambasadori i Hungarisë, Jozsef BENCZE, shprehu falënderimet për mikpritjen në Viti dhe u shpreh se historia e vendit të tij, përputhet me historinë e Kosovës, me që rast përmendi edhe heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotin Skenderbeun.
Ambasadorja e Greqisë, Chryssoula Aliferi, theksoi në fjalën e saj se vërtet ndihet e nderuar që gjendet sot në Viti, për të shënuar edhe ditën e shenjtë të mësuesit.
Ajo ndër të tjerash shprehu kënaqësinë se për gjatë misionit të saj në krye të ambasadës greke në Kosovë, Prishtina dhe Athina janë gjithnjë e më afër, në rritjen e bashkëpunimit.
Edhe ambasadori i Malit të Zi Mirsad Biboviç dhe ambasadorja e Maqedonisë së Veriut Shpresa Jusufi, shprehën uratat më të përzemërta për mësuesit shqiptar anekënd botës ku jetojnë. Kryetari Haliti ka nderuar me mirënjohje gjithë ambasadorët që ishin për vizitë sot në Viti, si dhe pjesëtarët e KFOR-it amerikan.
Kori diplomatik, së bashku me udhëheqësit komunal, më tej kanë vazhduar vizitën në Letnicë, në kishën e këtij lokaliteti, si dhe më pas kanë vizituar edhe objektin muze të shkollës së parë shqipe në Stubëll të Epërme të Vitisë. /2LONLINE/