/2L ONLINE/ – Avdyl Aliu, Shef i grupit të Këshilltarëve Komunal të Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e LDK-së, ka thënë se Kuvendi Komunal vazhdon të kultivojë një frymë të mirë dhe tolerante të ndërtuar që nga fillimi i punës së kësaj përbërje ndërmjet të gjitha grupimeve politike të përfaqësuara në kuvend. Ekziston një vullnet i mirë për të dhënë hapësirë të mjaftueshme dhe të pakufizuar në aspekt kohorë për të gjithë anëtarët e kuvendit, të gjithë kanë të drejta të njëjta dhe të barabarta dhe mundësi të barabarta me marr pjesë në të gjitha proceset e punës së kuvendit.
“Me qëllim të mbarëvajtjes së punëve në Kuvendin e Komunës dhe në komunë në përgjithësi, si kuvend kemi një bashkëpunim të kënaqshëm me ekzekutivin dhe duhet pranuar se koordinohemi për gjithçka e që kjo nuk nënkupton se po i shërbejmë ekzekutivit, këtë e bëjmë për t’i shërbyer sa më mirë interesave të qytetarëve të komunës së Gjilanit. Ky bashkëpunim paraqet një standard të ri se si duhet të ketë bashkëpunim ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit”, ka thënë tutje Aliu.
Duke folur për ekzekutivin në Gjilan, Aliu ka thënë se vlerësimet e tyre (të LDK-së), në përgjithësi janë se po punohet mirë.
“Me syrin tonë, syrin e LDK-së, është punuar mirë, ka punë të kryera, aktivitetet të kryera, rezultate të arritura, por dhe vështirësitë që kanë përcjellë punën e kryetarit, drejtorive dhe të njësive përkatëse”, ka thënë Aliu, duke iu referuar periudhës gjashtëmujore të këtij viti.
Ai tha se ekziston një vlerësim se është arrit dhe është instaluar një stabilizim dhe disiplinë buxhetore nga aspekti organizativ dhe financiare. “Bashkë me ekzekutivin kemi arritur që planifikimin për çdo vit ta përshtatim mirë me politika të zhvillimit, mirëqenies dhe kthimit të besimit të humbur”, thotë Aliu.
Ai shtoi tutje se gjatë gjithë punës, në vazhdimësi kemi promovim të transparencës. Gjatë këtij gjashtëmujori, disa punë të kryera janë të dukshme mirë për syrin e publikut, disa të tjera më pak, por ka edhe të tjera punë që do të shihen në ditët dhe muajt në vazhdim.
“Puna e kryetarit të komunës dhe e qeverisë komunale zakonisht paraqitet në kuvend përmes raportimeve dhe informative dhe na jep rast për vlerësim të asamblistëve, qytetarëve , shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, duke vendosur kështu një komunikim I cili shpresojmë se do të prodhoj ngritje të performancës”, ka thënë tutje Aliu.
Përndryshe, Kuvendi i Komunës së Gjilanit, sipas Aliut edhe përgjatë periudhës Janar- Qershor 2016 ka vazhduar me i krye detyrat dhe obligimet të cilat burojnë nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale, Statuti dhe akteve të tjera nënligjore.
Sipas tij, gjatë këtij gjashtëmujore janë mbajtur 6 seanca të rregullta dhe një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës, ku në këto seanca janë marrë: 26 vendime, 8 raporte, 4 rregullore, 9 rekomandime, 4 informata, 1 plan për menaxhim te mbeturinave, revidimi I PZHK Gjilani 2015 +, revidim i planit Qendra 1, 5 vendime për subvencione të klubeve sportive, 5 subvencione (KVRL, Shoqata e të verbërve, Handikos, Pema dhe Liria), Nënshkrimi i memorandumeve për bashkëpunim me këta përfitues të subvencioneve, raportimet e 11 komiteteve, miratimet e Planeve te punë për vitin 2016 te 11 Komiteteve, Shpallja Qytetar Nderi I Josef R Biden III, i dy sportistët me të cilët krenohet Gjilani . Erzen Rrustemi dhe Xherdan Shaqiri e të tjera.
“Kuvendi i Komunës së Gjilanit do të vazhdoj me punë, sigurisht se gjithmonë ka vend edhe për më mirë, do të synojmë më mirë dhe më shumë se që kemi bërë deri më tani për interesat e qytetarit të komunës së Gjilanit”, ka thënë në fund Aliui LDK-së. /2L ONLINE/