(2LONLINE) -Nisur nga shprehja se “Dita e mirë duket që në mëngjes”, atëherë ka vend për shpresë se kjo përbërje e Kuvendit Komunal të Gjilanit do të funksionojë mirë dhe do të përmbushë objektivat, ka thënë për Portalin 2Lonline, Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltarëve (GK) të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Aliu tha se nga dhënia e betimit e deri më tani janë mbajtur gjashtë seanca të Kuvendit Komunal (përfshirë këtu edhe seancën inauguruese) çka do të thotë se është përmbush obligimi i cili rrjedh nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale (LVL) sipas të cilit Kuvendi Komunal duhet të mbajë së paku 5 seanca brenda gjysmës së parë të vitit.
Ai tha se kanë arritur që të bëjnë konstituimin dhe funksionalizimin e të gjitha komiteteve përbërja e të cilave është reflektuar nga rezultati i zgjedhjeve dhe duke pasur parasysh edhe përfaqësimin gjinor . Aliu thotë se në përgjithësi ekziston një frymë e mirë dhe tolerante në mes të të gjitha grupimeve politike në Kuvendin Komunal .
“Si parti në pushtet kemi treguar vullnet të mirë ndaj opozitës duke ju dhënë hapësirë të pakufizuar kohore në punimet e Kuvendit duke e shkelë nganjëherë edhe rregulloren e punës në lidhje me marrjen e fjalës , pra nuk kufizohemi në rregullore dhe ata kanë mundësi të marrjes së fjalës dhe të shprehjes sa të duan”, ka thënë Shefi i GK të LDK-së, Avdyl Aliu
Për këtë arsye, shton ai, tash edhe ndodhë që seancat e Kuvendit Komunal të Gjilanit të zgjasin 6-7 orë, e që do të thotë deri sa të shteren të gjitha diskutimet.
“Duhet të pranojmë faktin se nganjëherë ish partinë në pushtet PDK-në po e qesim në pozita të palakmueshme duke bërë krahasime nga aspekti financiar i periudhave kohore të njëjta për vitet e ndryshme ( siç ishte rasti në seancën e fundit i Flakës së Janarit e cila në vitin 2011 ka kushtuar 77.887,00 euro ndërsa në vitin 2014 ka kushtuar 28.605,62 euro dhe tremujorit Janar-Mars ku nga krahasimi del se në vitin 2014 kemi shpenzuar afërsisht 800.000,00 euro më pak duke e krahasuar me vitin 2012). Këto krahasime po ju shkaktojnë nervozë, dhimbje dhe humbje të kontrollit mbi ndjenjat dhe emocionet, e vërteta nganjëherë dhemb dhe atë duhet ta durojmë”, shprehet Aliu.