Sot, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, Fitore Pacolli, ka mirëpritur Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjørnstad nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë – Departamenti i Evropës Juglindore dhe z. Jens Erik Grøndahl, Ambasadorin Norvegjez në vendin tonë.
Z. Arne Sannes Bjørnstad e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor nga Norvegjia shprehi interesim për zhvillimet politike në Kosovë dhe për dialogun Kosovë – Serbi.
Kryetari Kurti e njoftoi se prioritet e ka forcimin e shtetit në të gjitha fushat, në drejtësi, në ekonomi e në atë sociale. Sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, ai tha se duhet të nxjerrim mësimet nga e kaluara në mënyrë që dialogu të jetë i përgatitur mirë, me parime të qarta, dhe kësisoj të jetë solid.
Në fund, bashkarisht shprehëm interesim për kontakte dhe takime të vazhdueshme bashkëpunuese në të ardhmen.