(2LONLINE) – Çështja e zvogëlimit të nja gjashtë-shtatëmbëdhjetë vendeve të punës, në arsimin e mesëm të lartë, për shkak mungesës së mëtutjeshme të klasave të trembëdhjeta, siç do të ndodhë në gjimnaz, në shkollën e mjekësisë dhe në atë teknike, u alarmua tejmase, sikur të ishte fjala për humbjen e mijëra vendeve të punës dhe sikur të ishte fajtore DKA-ja, dhe jo ndryshimet në veprimtarinë arsimore, të cilat i ka bërë Ministria e Arsimit.
Alarmi na erdhi i pazakontë edhe për faktin se alarmuesit e sotëm të humbjes së vendeve të punës së arsimtarëve, janë hipokritë e intresaxhi të mëdhenj, të cilët përfituan shumë nga ish-pushteti komunal dhe i thurën lavde atij ditë e natë, kurse heshten si peshku e nuk e thanë asnjë fjalë të vetme, kur ish-pushteti komunal ua mirrte arsimtarëve padrejtësisht vendet e punës e i diskriminonte në mënyrën më të egër!
Problemi i reduktimit të disa vendeve të punës, nuk duhet të paraqitet si një problem aq i rëndë dhe i vështirë për t’u zgjidhur dhe aq më tepër si një problem për të cilin fajtor është shkolla ose DKA-ja, nëse problemi trajtohet me drejtësi e dituri, të cilat nuk mungojnë.
Së pari, çështja e sistemimit të punëtorëve, në vendet e punës, nuk është çështje e panjohur. Për këtë, sigurisht, rregulla të posaçme do të jepen edhe në kuadër të kontratës kolektive. Sot ka ligj të punës, ministri të punës e inspeksion të punës, të cilët mbrojnë të drejtat e punëtorëve dhe nuk është si në kohën e baba qemos që e pati bërë veten kadi për gjithçka. Sigurisht, edhe pushteti i tashëm komunal, nëse ka mësuar sadopak edhe nga gabimet trashanike të ish-pushtetit komunal, do të jetë i kujdesshëm dhe nuk do t’i maltretojë punëtorët (në të kundërtën do ta rrezikonte rëndë vetveten edhe në pikëpamje ligjore!), po do t’i sistemojë drejt ata.
Më në fund, çdo punëtor mund ta dijë saktësisht vendin e vet, në kuadër të sistemimit të punëtorëve në vendet e tyre të punës, pasi dihet se gjithmonë, siç është e njohur në gjithë botën, punëtorët radhiten sipas gjatësisë së përvojës së punës, në vendin aktual të punës. Në këtë rast vlerësohet qoftë edhe një ditë e vetme e punës.
Kur ndodh që dy punëtorë të kenë gjatësi të njëjtë të përvojës së punës, në vendin aktual të punës, duke llogaritur edhe ditët, atëherë përparësi ka punëtori, i cili, në fushën e profesionit të vet, ka edhe përvojë të mëparshme, në ndonjë organizatë tjetër të punës, por në fushën e arsimit. Në rast se dy punëtorë kanë gjatësi të njëjtë të përvojës së punës, duke llogaritur edhe ditët, atëherë përparësi ka punëtori me kualifikim dhe notë mesatare më të lartë.
E dyta, çështja e zgjidhjes së problemit të punëtorëve, të cilët mbeten “tepricë teknologjike”, me përjashtim të kuadrit të ndonjë dege specifike, siç janë p.sh. ato teknike, mund të zgjidhet shpejt dhe pa vështirësi të mëdha. Në një qendër ku punojnë rreth dy mijë punëtorë, shumë shpejt mund të absorbohen 10-15 punëtorë. Por, kur është fjala te çështja e “tepricës teknologjike” dhe alarmi dramatik që synon ta bëjë sot akëcili shërbëtor i ish-pushtetit gjilanas, i cili ishte shembull i diskriminimit të punëtorëve të arsimit, mbase shkaku kryesor mund të jetë shqetësimi për mbetjen “tepricë tenologjike”, të atyre individëve, për të cilët ish-pushteti krijoi vende artificiale dhe vende fiktive të punës, sa për të qenë në regjistrin e pagave!
Këtu njeriu nuk mund të japë asnjë përgjigje. Kush ka fituar jashtë rregullave, nuk mund të fitojë edhe brenda rregullave.
Më në fund, duhet kuptuar një gjë: shkollat ekzistojnë, në radhë të parë, për nevojat arsimore të shoqërisë dhe jo për zgjidhjen e problemit të punësimit dhe zgjidhjen e problemeve sociale të shoqërisë.
/Nuhi Ismajli/