Me moton “Edhe me sport kujtojmë Agimin”, kanë filluar sot aktivitetet në kuadër të manifestimit tashmë tradicional, “Ditët e Agimit 2018” për të kujtuar dhe nderuar figurën poliedrike të heroit të kombit Agim Ramadani-Katana dhe 114 dëshmorët të rënë në betejën e lavdishme të Koshares.
Si rëndom janë mbajtur gara sportive në futboll të vogël, ku edhe janë paraqitur 34 ekipe nga Drenica, Kumanova, Presheva dhe rrethina e Rajonit të Gjilanit. Janë ndarë edhe kupat për vendin e parë dhe të dytë. Vendi i parë i takoi ekipës Termo Dyli nga Lubishta e Vitisë, kurse vendi i dytë ekipës Juniors nga Zhegra e Gjilanit.
Ndërkaq në minutat e para të muzgut, me flakadanë në duar, kanë defiluar nxënësit e Shkollës së Lartë të Ultë “Agim Ramadani” të Zhegrës. Ata janë nisur nga afërsia e varrit të heroit Idri Seferi e deri te Kroi i Agimit, për të nderuar heroin kombëtar, Agim Ramadanin dhe 114 dëshmorët e kombit të betejës së Koshares.
Aktivitetet e Manifestimit “ditët e Agimit”, vazhdojnë me 2 Maj, me orën e madhe letrare “Muza e Agimit” (ora 15:00) si dhe me ngjarjen sportive në hendboll (ora 17:00)..