Aktgjykim refuzues për të akuzuarin Qemajl Mustafa

Aktgjykim refuzues për të akuzuarin Qemajl Mustafa

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallë aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit Qemajl Mustafës, pasi që në seancën e mbajtur sot, prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale.

“I akuzuari Q. M., në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjilanit, është akuzuar nga Prokuroria për nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit publiko-privat të datës 23.05.2012, në emër të autoritetit kontraktues publik ish KRM “Higjiena” në Gjilan, për themelimin e ndërmarrjes së përbashkët aksionare “Eco Higjiena” me autoritetin kontraktues “Moser Group”, përkatësisht degës “Eco Vision” në Gjilan mbi bashkimin e mjeteve të kapitalit në proporcion 51 % për partnerin privat dhe 49 % për partnerin publik”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve, prokurori i rastit në fjalën përfundimtare, në mungesë të provave, ka hequr dorë nga ndjekja penale e të akuzuarit Q. M., i cili është akuzuar për veprën penale keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

KOMENTE