Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë, pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurve I.C. dhe E.A. (2000), për shkak të veprës penale ‘’Vrasje në tentativë’’ nga neni 178 lidhur me nenin 28 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa ndaj të pandehurve E.A. (1997), E.A. (1994), E.S., F.K., dhe B.K., për shkak të veprës penale ‘’Sulm’’ nga neni 187 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, të pandehurit I.C. dhe E.A. (2000), më 12 nëntor 2018, në stacion të autobusëve, në Gjilan, për shkak të një mosmarrëveshje, me veprimet e tyre, me dashje kanë tentuar t’a privojnë nga jeta të dëmtuarin M.B, në atë mënyrë që i pandehuri I.C., e godet dy herë me thikë, në bel dhe në shpindë, ndërsa i pandehuri E.A., e godet dy herë me një kaçavidë, në gjoks dhe stomak, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Po ashtu, i pandehuri I.C., e godet me thikë edhe të dëmtuarin tjetër E.H., të cilit i shkakton lëndime të lehta trupore.
Gjithashtu, në kohën dhe vendin e njëjtë, të pandehurit E.A. (1997), E.A. (1994), E.S., F.K., B.K., me dashje kanë përdorë forcën, ashtu që me grushte dhe shqelma, i kanë goditur të dëmtuarit F.SH., E.H., E.SH., M.B., dhe R.V., në pjesë të ndryshme të trupit.
Të pandehurit I.C., dhe E.A. (2000), gjenden në masën e paraburgimit, ndërsa i pandehuri E.A. (1997), gjendet në masën e lajmërimit në stacionin policor, që nga data 15 nëntor 2018.
Prokurori i çështjes, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat e kryera penale dhe të dënohen sipas Ligjit.