Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj katërmbëdhjetë zyrtarëve policor, të përfshirë në rastin e dt.18.02.2022, në fshatin Zllatar të Prishtinës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit F.A., E.I., B.M., E.Th. dhe G.T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një villë në këtë fshat, në të cilën kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e policisë dhe përdorimin e armës të parapara në Ligjin për Policinë, në atë mënyrë që në zhvillim e sipër të ahengut, kanë shtënë me armë zyrtare duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e villës ku zhvillohej ahengu. Me këtë, secili prej tyre individualisht e kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367 paragrafi 1 të KPRK-së, në lidhje me nenin 11 paragrafi 5 dhe nenin 27 paragrafi 1 të Ligjit nr. 04/L-076 për Policinë, në fuqi në Republikën e Kosovës.
Të pandehurit F.A., E.I., B.M., E.Th. dhe G.T., në datën, vendin dhe kohën e lartcekur, si dhe për arsye të njëjta gjatë përdorimit të armës në kundërshtim me ligjin, kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e personave të pranishëm, andaj me këtë kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356 paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit A.B., Xh.B., A.M., A.A., A.Z., I.S., Rr.A., V.Rr. dhe A.M., nuk i kanë lajmëruar veprat penale të lartcekura, në atë mënyrë që nuk i kanë raportuar të shtënat me armë zjarri të bëra nga kolegët e tyre-të pandehurit gjatë ahengut ku kanë qëndruar së bashku, andaj me këtë kanë kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”, nga neni 378 paragrafi 1, nënparagrafi 1.9 të KPRK-së.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë. /2LONLINE/