“Gjatë realizimit dhe implementimit të planit operativ policia ka arritur të lokalizojë, arrestojë dhe menjëherë t’i dërgojë në vuajtje të dënimit rreth 80 persona që kishin dënime të formës së prerë nga gjykatat”.
Policia e Kosovës ka realizuar Planin Operativ “ Realizimi i Urdhëresave me burg efektiv “ që ka filluar me 17 shtator e ka përfunduar me 12 tetor.
Qëllimi dhe implementimi i këtij plani i udhëhequr nga policë të Stacionit Policor në Gjilan, ka qenë që të realizohen dhe ekzekutohen një numër i madh i urdhëresave me burg efektiv.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se gjatë realizimit të këtij plan operativ, kanë arritur t’i kapin disa persona të cilët kanë qenë të dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga gjykatat kompetente në nivel komunal por edhe më gjerë në nivel vendi, persona të cilët nuk iu kanë përmbajtur urdhrit për vuajtje të dënimeve, duke ju shmangur arrestimit në forma të ndryshme.
Toger Hashani ka thënë se ky plan ka mundur të realizohet, nga veprimet mirë të koordinuara operative të oficerëve policor nga stacioni policor i Gjilanit si edhe falë një bashkëpunim të ngushtë edhe me stacionet tjera policore në nivel vendi, si dhe ka ndikuar gjithashtu edhe uljen e rasteve si të vjedhjeve po ashtu edhe të veprave tjera kriminale, gjë që shihet çartë nga raportet ditore.
“Gjatë realizimit dhe implementimit të këtij planit kemi arritur që t’i lokalizojmë, arrestojmë dhe menjëherë të dërgohen në vuajtje të dënimit rreth 80 persona, që kishin dënime të formës së prerë nga gjykatat. Policia e Kosovës në vazhdimësi do të punoj në mbrojtje të rendit dhe ligjit si dhe krijimit të një ambienti të qetë dhe prosperues për qytetarët e saj”, ka thënë zëdhënësi Ismet Hashani.