Aksioni i policisë dhe inspektorëve të taksave i ndërmarrë në natën mes së premtes dhe të shtunës ka rezultuar me mbylljen e disa bastoreve (kazinove) në rrethin e Pçinjës.
Siç ka deklaruar të shtunën zëdhënësi i policisë në Vranjë Dragan Stamenkoviq, janë konfiskuar 170 aparate pokeri si dhe 10 ruletë të cilët nuk kanë poseduar lejet dhe certifikatat e posaçme për punë të cilat i lëshon Ministria e Financave
“Gjatë kontrollit janë zbuluar shumë punë të kundërligjshme. Janë evidentuar edhe dhjetëra punëtor të cilët kanë punuar në të zezë në këto objekte. Në aksion është konfiskuar edhe një shumë e madhe e të hollave, kurse disa lokale nuk kishin kurrfarë leje pune. Kështu që shumë kazino dhe klube me aparate janë mbyllur”, thotë zëdhënësi Stamenkoviq, transmeton Titulli.
Dhjetëra inspektorë të taksave të Ministrisë së Financave në bashkëpunim me rreth 100 zyrtarë policorë kanë konfiskuar rreth 800.000 dinarë dhe 3.000 euro, ndërsa janë zbuluar 20 punëtorë që punojnë në të zezë.
Zyrtarët policorë nuk kanë dhënë informacione për aksionin e kontrollimit të klubeve të natës në komunë të Bujanocit.
Ata janë shprehur se aksioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim duke përfshirë kontrolle të lokaleve në Vranjë, Vranjska Banjë, Vlladiçki Han, Bujanoc dhe Preshevë.
Sipas kumtesës së policisë qëllimi i aksionit është vërtetimi i punës legale të objekteve të lartpërmendura si dhe pagesa e taksës dhe kontributeve të të punësuarve.
Ky aksion është marrë me miratimin e Prokurorisë Themelore në Vranjë.
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=2253