(2L ONLINE) – Që nga hapja e konkursit më 11 korrik për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore – Bachelor në vitin akademik 2014/2015 në Universitetin ”Kadri Zeka” në Gjilan, interesimi është mjaft i madh, por se kur janë në pyetje aplikuesit nga Lugina , për momentin numri i tyre është simbolik.
Vaxhid Sadriu, sekretar i përgjithshëm i Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”, ka thënë për Portalin 2L ONLINE se nëpër sportelet e Fakulteteve përkatëse vërehet numër i konsiderueshëm i aplikantëve.
Kurse sa i përket numrit të vogël të aplikantëve nga Lugina e Preshevës, Sadriu thotë se për këtë fillim është i kuptueshëm sepse ata së pari duhet të paraqiten ne MASHT për njohjen e dokumenteve për shkollimin e mesëm të kryer dhe më pastaj paraqiten ne sportelet e UPGJ-së për aplikim.
Përndryshe, sipas tij, deri më 14 korrik, numri i aplikantëve ka qenë 1 mijë e 81 , ku në Fakultet të Edukimit aplikuan 452, Juridik, 226, Ekonomik, 352 dhe Shkenca Kompjuterik 51.
Ndërsa, deri në këtë datë, për t’u bërë studentë në UPGJ, nga Lugina kanë aplikuar vetëm 8 aplikues , 4 për Fakultet të Edukimit, dhe nga 2 për atë Juridik dhe Ekonomik., ndërkohë që ka pas edhe një aplikues nga Komuniteti RAE.
Përndryshe, sipas Vaxhid Sadriut, sekretar i përgjithshëm i Universitetit Publik të Gjilanit , ky Universitet, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2014-2015, do të regjistrojë 2184 studentë, prej të cilëve 1824 studentë të rregullt dhe 360 studentë me korrespondencë. Nga numri i përgjithshëm si më sipër, Universiteti do të regjistrojë 14 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi si dhe 485 studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe 35 studentë nga komunitetet jo-shumicë: boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe të tjerë.
Sadriu tha se për ta lehtësuar aplikimin Administrata e Universitetit “Kadri Zeka” do të punojë edhe të shtunave. Për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve afatet e konkursit janë si vijon:
Paraqitja e dokumenteve zgjat prej datës 11.07.2014 deri më 21.07.2014 (Dokumentacioni mund të dorëzohet edhe të shtunave)
Provimi pranues do të mbahet më 25 .07.2014 (Ora e mbajtjes së provimit pranues dhe salla do të shpallet në ueb faqen e Universitetit më date 23.07.2014 )
Ndryshe, Sadriu tha se të gjithë kandidatët të cilët i nënshtrohen provimit pranues duhet ta kenë me vete dokumentin e identifikimit dhe fletë konfirmimin e lëshuar me rastin e aplikimit. /2L ONLINE/