Është evidente se që nga fillimi i formimit të AKI-së ka pasur probleme të cilat, për shkak të natyrës së punës që ka ky institucion, ato edhe janë kaluar në mënyrë të heshtur, por që gjithashtu për shkak të natyrës së punës që ka ky institucion janë serioze dhe sistemi i mbikëqyrjes dhe kontrollit është dashur të merret seriozisht me ketë.
Shkruan: Fadil Kajtazi
Vet fakti se në një afat të shkurtër kohor, në me shumë se tre vite janë shkarkuar tre drejtor, flet se brenda këtij institucioni, prej të cilit varet funksionimi i shtetit, siguria nacionale, diçka nuk është duke shkuar mirë.
Që në fillimet e punës së AKI-së, kemi një skandal serioz, atë të rekrutimit të stafit dhe zyrtarëve nga persona jokompetent si për nga përgatitja profesionale ashtu edhe për nga e kaluara e tyre. Në punën e shërbimeve inteligjente rekrutimi i stafit dhe pastaj i agjenturës është çështja kryesore, ko është sfidë për çdo shërbim, edhe për ato që janë me traditë, pasi aty se pari kërkohet që stafi t’i përshtatet natyrës së punës që ka shërbimi, që i bie se duhet të ketë komponentin inteligjent dhe që organizata të ruhet nga infiltrimi i personave të shërbimeve tjera, sidomos atyre armiqësore.
Efikasiteti i çdo shërbimi inteligjent varet nga agjentura kualitative, nga analitika që analizon dhe i jep kaheje informatave që grumbullohen kryesisht nga kjo agjenturë. Dhe një staf i rekrutuar keq, i ndikuar nga ndikimet e jashtme politike, farefisnore etj, nuk ka se si të prodhojë një informacion inteligjent që i shërben politikëbërjes. Ky staf i rekrutuar keq mund të bëj më së shumti atë që bëri tani AKI me shtetasit turq; “paraqesin rrezik për sigurinë nacionale”.
Nga ajo që u raportua në media dhe në rrugë gjysmë zyrtare, kapacitetet e atyre që rekrutuan ketë staf lenin shumë për të dëshiruar dhe këto kapacitete nuk kanë garantuar se stafi i përzgjedhur ka atributin mbi të cilat funksionojnë shërbimet, pra atë të inteligjencës dhe besueshmërisë.
Puna e dobët dhe joprofesionale e zyrtarëve të AKI-së është vërejtur sidomos me dekonspirimin e agjentit Bojan Bozhoviq të infiltruar në strukturat paralele serbe që vepronin në veri të vendit. Sipas rrëfimit të këtij agjenti, së pari në rekrutimin e tij, në takimin e parë kanë qenë më tepër së katër persona, së dyti AKI nuk ka kamufluar veprimtarin e tij dhe të ardhurat me në aktivitet legal, psh atë të gazetarit të RTK-së. Dhe së treti, për aktivitetin e tij kanë ditur njerëz jashtë AKI-së, si drejtori i regjional i Policisë së Kosovës në Mitrovicë dhe Bajram Rexhepi, ministër i atëhershëm i Punëve të Brendshme.
Ky dekonspirim është dashtë që dike të vë para përgjegjësisë, nga shkaku se ka rrezikuar jetën e agjentit që është shtetas i Kosovës, së dyti, shërbimi sekret serb gjatë seancave me torturë kundër këtij personi ka arritur të mësoj gjënë e artë që i duhet një shërbimi, atë të metodës së rekrutimit, kamuflimit, udhëheqjes, dhe kontaktit me një agjent.
Kjo që po ndodhë me drejtorët le të kuptojë se brenda shërbimit mund të këtë sabotim. Në anën tjetër, dështimet me drejtoret duhet t’i atribuohen edhe ndërhyrjeve politike, kryesisht të PDK-se dhe liderit të saj Hashim Thaçit. Vetë fakti se presidenti heziton për ta formalizuar aktin e kryeministrit për shkarkimin e drejtorit të AKI-së, dëshmon fuqinë e ndërhyrjes politike nga ana e presidentit që ushtrohet mbi këtë institucion.
Që te tre drejtoret kanë qenë preferenca te tija personale dhe si duket ai nuk ja ka qëlluar sepse shihet një diskrepancë në mes të ambicieve të kryetarit të shtetit për ta përdorur shërbimin për çështje personale dhe kapaciteteve të limituara të drejtorëve për t’i përmbushur këto ambicie.
Sido që të jetë, ne jemi duke parë eksperimentim me njërin nga institucionet vitale të shtetit nga i cili mund të derivojnë probleme serioze për sigurinë nacionale. Rasti i fundit me shtetasit turq është një dëshmi se sa mund ta denigroj situatën një veprim i pa matur dhe jokompetent.
Deklarata e kryetarit te shtetit se “AKI ka raportuar se shtetasit turq paraqesin rrezik për sigurinë nacionale”, mendoj se është e kundërta; ekstradimi i shtetasve turq në ketë forme është rrezikim i sigurisë nacionale, nga se ky veprim arbitrar ka çekuilibruar raportet me aleatet perëndimorë nga të cilët varet ekzistenca e shtetit tonë dhe të cilët fondament të sistemeve të tyre shtetërore kane liritë dhe të drejtat e njeriut.