Në korrik të vitit të shkuar, kryeministri Hashim Thaçi ua pati uruar banorëve të Zhegrës Komunën e re. Por, do të duhen ndoshta edhe vite që kjo të funksionalizohet dhe të bëhet Komuna e re e këtij fshati, rreth 14 kilometra larg Gjilanit.
Një gjë e tillë do të ndodhë edhe me dy komunat e tjera, për të cilat Qeveria kishte marrë vendimin e themelimit në Gjonaj dhe në Rogovë.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal planifikon që në gjashtëmujorin e parë të punës së Legjislativit ta dërgojë ndryshimin e Ligjit për kufijtë administrativë të komunave.
Besnik Osmani i MAPL-së ka thënë për KTV se edhe nëse miratohet ndryshimi i ligjit, i nevojshëm për nisjen e krijimit të komunave të reja, do të jetë shumë e vështirë që zgjedhjet për këto komuna të organizohet shpejt.