Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit ku në rend dite është raporti i kryetarit të Komunës për periudhën, janar-qershor 2020, Isa Agushi, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, parti opozitare, e ka vlerësuar atë jo si një raport pune, por fontanë dëshirash, transmeton 2LONLINE.com.
Duke u ankuar se institucionet komunale nuk po i kthejnë përgjigjet në pyetjet me shkrim që po i adreson opozita, Agushi tha se ndoshta në seancën e sotme marrin përgjigjet mbi çështjet e ngritura, e në veçanti ai u fokusua në borxhet që i ka komuna.
Agushi i PDK-së tha se në këtë drejtim qeveria e tanishme komunale ka shumë borxhe ndonëse ajo kishte kritikuar pushtetin e dikurshëm, të PDK-së, pikerisht po e lenë komunën në borxhe.
Agushi tha se për këto shtatë vite të kësaj qeverisje nuk janë përmbushur premtimet dhe nuk mund të mburret me asnjë punë të kryer dhe se kryetari i komunës nuk i ka përmbushur zotimet e tija, ndonëse kanë pasur mjete për këtë.
Ndërsa, duke iu referuar raportit të Auditorit për pasqyrat financiare të Komunës së Gjilanit për vitin 2019, Agushi tha aq shumë ka shkelje të evidentuara sa që habitet që kryetari është në kuvend e jo diku tjetër, për të shtuar se kështu kryetari i komunës del mbi ligjin, mbi gjithçka dhe se nuk po ka drejtësi.