Surdulli (PDK): Pensionistëve të arsimit gjilanas po u bëhet padrejtësi e madhe nga pushteti

Surdulli (PDK): Pensionistëve të arsimit gjilanas po u bëhet padrejtësi e madhe nga pushteti

Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, ku në rend dite është raporti i kryetarit të Komunës për periudhën, janar-qershor 2020, Shefik Surdulli, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, parti opozitare, ka thënë se në këtë raport ka shumëçka për të thënë, për të nxjerrë në shesh diferencat e thella në mes të thënës dhe të bërës, në mes asaj që është prezantuar këtu si teori dhe asaj që praktikisht duhet realizuar, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Surdulli si shqetësuese e ngriti çështjen e pensionistëve të arsimit gjilanas që nuk po munden të realizojnë të drejtën e tyre, pagesat e shpërblimit jubilar dhe pagave përcjellëse me rastin e pensionimit.

“Me veprimet e juaja, po e goditni rëndë këtë kategori të pensionistëve gjilanas, për të cilët në vend që të tregoni respekt dhe mirënjohje konkretisht, për punën dhe misionin e tyre fisnik në edukimin e brezave dhe kontributin e gjithanshëm në periudha shumë të rënda për vendin, ju vazhdoni duke mos i përfillur ata, duke i nënçmuar e maltretuar, për të drejtën e tyre qe fundja është e ligjshme”, është shprehur Surdulli, duke folur për raportin e kryetarit të komunës.

Ja më tutje diskutimi i plotë i Surdullit.

Në këtë raport, te sfidat për vitin 2020, ndër të tjera është paraqitur si problem i vazhdueshëm lëndët e ndryshme edhe nga arsimit, duke e përmendur nën kllapa: Mos pagesën e pagës jubilare me rastin e pesnionimit të punëtorëve të arsimit. Unë këtë shqetësim të pensionistëve të arsimit, e kam ngritur edhe herëve tjera në një seancë të vitit të kaluar, me ç’rast pata përmendur vetëm dy prej emrave të profesorëve pensionist, për ta faktuar diskutimin tim. Fatkeqësisht, asgjë nuk ka ndryshuar.

Po ndodhë e kundërta e premtimeve tuaja kryetar për arsimin, për punëtorët e arsimit më konretisht, të cilëve u ke premtuar gjatë fushatës zgjedhore se do t’ua kryej këtë obligim. Me veprimet e juaja, po e goditni rëndë këtë kategori të pensionistëve gjilanas, për të cilët në vend që të tregoni respekt dhe mirënjohje konkretisht, për punën dhe misionin e tyre fisnik në edukimin e brezave dhe kontributin e gjithanshëm në periudha shumë të rënda për vendin, ju vazhdoni duke mos i përfillur ata, duke i nënçmuar e maltretuar, për të drejtën e tyre qe fundja është e ligjshme.

T’ju them të drejtën, jam tmerruar kur e kam parë vargun e pensionistëve të arsimit, në mesin e tyre edhe veteranë të arsimit, të spikatur e të jashtëzakonshëm, jo vetëm në fushën e arsimit, të cilët, përmes një aktgjykimi të Gjykatës Themelore në Gjilan, C. nr. 99/17, të datës 28 mars 2019, kanë fituar të drejtën e tyre në kontestin: PAGESA E SHPËRBLIMIT JUBILAR DHE PAGAVE PËRCJELLËSE me rastin e pensionimit.

Ndërkohë kur kam mësuar pastaj se avokati i komunës, pasi që këta pensionistë e kanë fituar kontestin, ai ka paraqitur ankesë në gjykatën e Apelit, ka qenë edhe më e tmerrshme. Prej kujt ju po e mbroni komunën dhe buxhetin e saj? Prej Mësuesit?! Prej arsimtarit?! Prej profesorit, të cilët nuk kërkojnë dhe nuk kanë kërkuar asnjëherë asgjë më shumë se sa u takon me ligj, të cilët madje, me vetëdijen tonë të ulët i kemi shndërruar në lypsarë. Të mjerët ne!

Komunën dhe buxhetin e saj mbrojeni tjera kah mos t’ju rrjedhin si rëndom, mbrojeni prej hajnive, prej abuzuesve të parasë publike, por jo prej shtresës elitare, më fisnike të kombit e të shoqërisë.

E nderuara kryesuese, të nderuar kolegë të pranishëm në këtë seancë, i indinjuar me këtë padrejtësi që po u bëhet sidomos kësaj kategorie të pensionistëve të arsimit gjilanas, unë do t’ua prezentoj emrat e këtyre pensionistëve, të cilët edhe sot vazhdojnë të trokasin nëpër zyrat e shpresës së kotë për ta, me të vetmin qëllim: që mbase dikush nga ju, mund të ketë mësuar nga ta ABC-ën e gjuhës shqipe, ndoshta edhe më shumë se kaq, pastaj ndoshta ju vret ndërgjegja dhe bëni presion mbi eprorët tuaj pushtetarë, në mënyrë që ta gëzojnë këtë të drejtë derisa ata janë gjallë.

Mbase prej atëherë, ndonjëri nga këta mund edhe të ketë ikur në botën e përtejme, duke na mallkuar për moskujdesin tonë ndaj tyre, sidomos juve që keni pushtetin lokal. Kërkoj vëmendjen tuaj edhe për pakëz kohë, e respektuar kryesuese dhe ju kolegë këshilltarë: Pra, në vijim po i lexoj emrat e këtyre pensionistëve të arsimit të cilët janë të privuar nga e drejta e tyre për pagat postpensioniste, emra këta shumëfish më të mëdhenj se ne e secili prej nesh. Ndonjëri nga këta edhe mund te ju ketë votuar me shpresën se jeni të denjë t’i përfaqësoni interesat e tyre.

1. Xhemaj Miftari 2. Ymer Sadiku 3. Kadri Llapashtica 4. Nazif Muji 5. Ahmet Sherifi 6. Vaxhid Zahiri 7. Mejreme Qerimi 8. Ali Haliti 9. Bislim Salihu 10. Sadri Sylejmani 11. Shefshet Shaqiri 12. Kadrije Xhemajli 13. Shefki Bajrami 14. Enver Bllaca 15. Zejnulla Zejnullahu 16. Nexhmedin Keka 17. Avdyl Vranovci 18. Latif Kosumi 19. Myrvete Yhaqi 20. Feriha Iseni 21. Hazir Korça 22. Fetah Hajrullahu 23. Sahit Jashari 24. Hysnije Gjinolli 25. Musa Hasani 26. Qamil Murtezi 27. Nerimane Maksuti 28. Adem Shkodra 29. Mitat Ahmeti 30. Avdi Buca 31. Muharrem Ukshini 32. Sabri Beqiri 33. Nazmi Musa 34. Bajram Osmani

Në fund, kërkoj nga ju z. kryetar, që të reflektoni duke ia mundësoni realizimin e kësaj të drejte këtyre pensionistëve të arsimit me tërheqjen e ankesës së komunës së Gjilanit në gjykatën e Apelit, kundër këtij aktvendimi. Sepse, dihet mirëfilli zgjatja deri te shyqrtimi i lëndëve në këtë gjykatë.

Deri atëherë, për disa nga të lartpërmendurit, mund të flisni POSTMORTUM për ta. /2LONLINE.com/

KOMENTE