/2L ONLINE/ – Në sallën e Kuvendit Komunal të Gjilanit u mbajt pjesa letrare e Manifestimit “Flaka e Janarit”, që njihet si “Pena e Flakës”, që kësaj here iu përkushtua figurës madhore të Kreshnikut të Maleve, Idriz Seferi.
Në Orën e Madhe letrare, me poezitë e tyre u paraqitën 25 poetë, ndërsa, me vlerësimin e jurisë, çmimi “Pena e Flakës” iu nda poetit Agron Tufa. Përndryshe, poezia që i parapriu Orës së Madhe letrare dhe ajo që e mbyll leximin në këtë Orë, iu përkushtua kryetrimit Idriz Seferi, në 170 vjetorin e lindjes dhe në 90 vjetorin e vdekjes së tij.
Në këtë eveniment kulturor ishin të pranishëm krijues nga hapësira mbarëshqiptare duke u bërë dëshmitarë të njërës nga ngjarjet më të mëdha të letrave shqipe viteve të fundit, madje në mbarë gjeografinë shqiptare: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë e Preshevës, Mali i Zi e Çamëri.
Kur jemi te Ora letrare dhe konkursi letrar, edicioni i këtij viti, i 26-ti me radhë, i shtyllës mbase më të veçantë “Pena e Flakës 2017”, ashtu siç është paralajmëruar edhe dëshmuar me prurje cilësore nga pjesëmarrësit e shumtë në “Ora e madhe letrare”, sikundër që ka spikatur edhe pjesëmarrja e autorëve të shquar me krijimet e tyre në konkursin letrar “Pena e Flakës 2017” në përgjithësi, si në prozë, ashtu edhe në poezi.
Në mesin e 97 poezive dhe 44 tregimeve të shkurtra konkurruese, juria ka përzgjedhur ato të cilat i ka vlerësuar më të arrira: “Eh Penelopë që thure e ç’thure veten”; “Ëndrra e saj” dhe “Lyra e shpirtit tim”, ishin krijimet në poezi, të përzgjedhura dhe prezantuara me shifra, derisa në prozë më të arrira janë vlerësuar: “Njeriu me ngjyrën e tokës”, “Ti dhe hëna”, “Te qershia e kuqe” dhe “Aromë bujarie”.
Sabit Rrustemi njëri nga promotorët e shtyllës së manifestimit “Pena e Flakës 2017”, është deklaruar tejet i kënaqur me krijimet letrare e poetike në përgjithësi, derisa ka konstatuar atë që kishte paralajmëruar më parë se ky edicion do të jetë i veçantë si në sasi po ashtu edhe cilësi.
“Kjo ishte ndër orët më cilësore të manifestimit “Flaka e Janarit” për vet faktin se morën pjesë numër i madh krijuesish, mbi njëqind të tillë, në konkursin letrar, mes tyre 44 tregimtarë dhe 25 poetë tjerë nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo dëshmon për vlerat dhe prurjet e mirëfillta në këtë edicion të shtyllës “Pena e Flakës”, ka thënë Rrustemi
Ndërsa krijuesja Fatime Kuli nga Shqipëria, me origjinë nga Çamëria, pasi ka vënë në spikamë pjesëmarrjen e saj të parë në këtë ngjarje të përvitshme letrare, është shprehur të jetë “intriguar” nga emërtimi i manifestimit “Flaka a Janarit”. Pikërisht ky emërtim ka thënë të ketë qenë arsyeja që e ka nxitë të jetë pjesë e konkursit letrar.
“Vlerat e letërsisë së mirëfilltë numërohen me gishtat e dorës. Mua më pëlqen të ketë prurje qoftë edhe duke vargëzuar, sepse përmes shumicës mund të nxjerrim vlerat. Është shumë optimiste prurja e zërave të rinjë poetik, sepse nga ta mund të dalin edhe vlerat të cilat shqiptarët e Kosovës i kanë pasur që nga Esad Mekuli, Ali Podrimja e shumë të tjerë, e që janë shkolla të poezisë shqipe në përgjithësi, itinerar udhërrëfyes nga duhet udhëtuar brezat e rinjë”, ka përfunduar ajo.
Ndërsa krijuesi Nexhat Rexha, duke i bërë një përshkrim shtyllës letrare të manifestimit, është shprehur në superlativ për prurjet letrare të këtij viti. Ai ka vënë në spikamë se ky edicioni i shtyllës “Pena e Flakës” është dëshmuar nga më cilësore deri më tani.
Sipas tij “Pena e Flakës këtë vit ka sjellë një risi që dallon nga vitet e kaluara, pasi krijuesit pjesëmarrës janë dëshmuar paraprakisht me krijimet e tyre, të publikuara përmes rrjeteve sociale.
Çmimi i parë për autorin Agron Tufa në kuadër të orës së madhe letrare ishte më se i merituar”, ka thënë Rexha ndërsa ka vlerësuar edhe manifestimin “Flaka a Janarit 2017” si tërësi në përgjithësi.
Të gjitha punimet e shpërblyera sikurse edhe punimet e përzgjedhura nga juria është bërë e ditur se do të botohen në numrin e 20-të të revistës letrare “Agmia”.
Në poezi:
Shpërblimi i parë i jepet poezisë: ‘Eh Penelopë qe thurr e shthurr veten’, shifra: Gladiatori.
Shpërblimi i dytë poezisë: ‘Ëndërra e saj’, shifra: E kujt ishte andrra.
Shpërblimi i tretë poezisë: ‘Lyra e shpirtit tim”, shifra: Dëgjoje zërin tim.
Në prozë:
Shpërblimi i parë i jepet tregimit: “Njeriu me ngjyrën e tokës”, shifra: Aviatori
Shpërblimi i dytë: “Ti dhe hëna’, shifra: Hëna.
Shpërblimi i tretë: ‘Te qershia e kuqe”, shifra: Kokrra e qershisë dhe “Aromë bujarie”, shifra: Diaus.