AGORA
/Kaltrina Berisha/
Para se laku me u deh,
në pellgun e gjakut tem.
Para se trupi jem i vjerrun,
i endun, e i damkosun n’shpirt
me u luhat etshëm mbi kopenë meskine…
Para se unë, një korb i kobshëm,
një mace e skllavërueme
përtej vullnetit për pushtet.
Para se unë me e dëgju
fishkëllimën shtjerrëse t’kamgjikut;
t’ ethshëm, që etshëm
Nietzsche-n e kish mbërthy.
Para se me i dëgju shkënditë;
e rrufehedhësit Zeusit,
e me prit zjarrin e Prometheut,
a pëllumbin e Afërditës.
Ethshëm, e etshëm
tehun e lakut e pres.
Gjak i djegun, i nximë
si lumë i Hadit, t’pavdekshëm.
Se zoti ka thanë ndryshe, Adam!
Prej brinjit tand, nuk gllabërohet njerëzimi.
Se unë , nji vdekatare që ushqej unin
përtej skëterrës e Olimpit,
kam lidh prolog me Hanën,
që me brinjën tande me e pre lakun tem.
Agora asht pelegrin
për vdekatarët sit ti e unë.
Na jemi të ethshëm
Ama jo t’etshëm me u gjunjëzu.
Në mos laku, që m’end
e m’tremb, që me m’çmend
me e shiju vdekjen tem.
N’Agorë e kam ndje erën
që ma sjellë tehu i shpirtit tem.
Dostoevsky qe i etshëm
e i pavdekshëm me e shiju;
erën e terrorit,
e jo tehun e mizorit.
Prej asaj dite…
Agora ngrykëse, lakmitare
po m’ushqen me tehet e saj
ama lakun nuk ma heq.
Se unë e kam shiju aromën e vdekjes,
e jam veç nji vdekatare:
kurban i zi, i Adamit
e mollë sherri n’Edenin e Agorës.